MENU
klinika

“Vuçiç na kërcënoi nga Brukseli”

Kurti: Presidenti serb s’njeh integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës

27.10.2023 - 17:46

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka deklaruar gjatë një konference për mediat ditën e sotme (27 tetor), se sipas tij, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, ka shkelur edhe marrëveshjen bazike për normalizimin e raporteve mes dy vendeve, duke refuzuar njohjen e integritetit territorial të Kosovës.

Kurti u shpreh më tej se Vuçiçi e ka pranuar këtë marrëveshje dhe aneksin zbatues për të mos i nënshkruar, ndërsa tani sipas tij, “ai i ka rënë pishman”.

“Presidenti i Serbisë nuk po nënshkruan sepse ai i ka thënë po marrëveshjes bazike dhe aneksit zbatues për të mos nënshkruar e tash duket që i ka rënë pishman që ka thënë ‘po’. Nuk është e rastësishme që ka filluar që ta përsëris gjithnjë e më shpesh atë vargun që e pranon marrëveshjen në koncept, por jo në përmbajtje e në anën tjetër zbatimin në mënyrë të kufizuar”, ka deklaruar Kurti.

Ndër të tjera, kryeministri i Kosovës është shprehur se Vuçiç po e “kërcënon” Kosovën edhe me deklaratat e lëshuara në Bruksel, duke thënë se nuk e njeh Pavarësinë dhe nuk e pranon integritetin territorial të Kosovës.

“Në vend që të kemi ekstradim të grupit të Radoiçiçit, ne kemi kërcënime të tilla nga Brukseli të presidentit të Serbisë për integritetin territorial të Kosovës”, theksoi Kurti.

“Serbia gjithmonë insiston që të dërgojë letra anësore, shkresa shtesë të cilat praktikisht e sulmojnë zyrtarisht dhe formalisht marrëveshjen bazike dhe aneksin. Mbrëmë morëm vesh që Vucic kërcënon dhe përmbush kërcënimet me këso letra që thonë tri gjëra, Serbia se njeh Kosovën, është kundër anëtarësimit në OKB dhe nuk e pranon integritetin territorial të Kosovës. Kjo e treta është një shtesë. Është tendencë për sulm ndaj Kosovës, deklaratë e tillë e papërgjegjshme, se integritetit territorial është i papranueshëm. Federata ruse para sulmit në Ukrainë thoshte se nuk e njeh integritetin territorial të Ukrainës.

Kosova me 24 shtator ka përjetuar cenim të sovranitetit shtetëror dhe sigurisë kombëtare. Në vend që të kemi ekstradim të grupit të Radoiçiçit, ne kemi kërcënime të tilla nga Brukseli të presidentit të Serbisë për integritetin territorial të Kosovës. Me ato deklarata është shkelur edhe marrëveshja bazike dhe ajo e Ohrit, ku për integritetin territorial thuhet në pinën e tretë, citon “ të vetëdijshëm për pacenueshmërinë e kufijve dhe respektin për integritetin territorial dhe sovranitetit dhe njohjen e pakicave kombëtare si një kusht bazë për paqen”. Deklarata e djeshme është shkelje e pikës së tretë”, është shprehur kryeministri mes tjerash.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN