Të paktën 600 persona janë vrarë në Izrael në sulmin e madh të befasishëm nga grupi militant palestinez Hamas nga Rripi i Gazës, thanë burimet mjekësore të dielën, me 2 048 të tjerë të plagosur sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Izraelit.
Disa nga të plagosurit janë në gjendje kritike.
Hamasi, i cili sundon Rripin e Gazës, nisi një ofensivë të papritur nga zona bregdetare të shtunën, duke lëshuar më shumë se 3 000 raketa në Izrael.
Luftëtarët e Hamasit gjithashtu përparuan përtej kufirit nga toka, ajri dhe deti.
Disa izraelitë u dërguan me forcë në Gaza ku po mbahen peng nga Hamasi, sipas ushtrisë izraelite.
Një zëdhënës ushtarak foli për një “numër të konsiderueshëm” pa dhënë detaje të mëtejshme.
Kabineti i sigurisë izraelite shpalli sot gjendjen e luftës pas ofensivës së Hamasit, duke lejuar “hapa ushtarakë me shtrirje të gjerë”, njoftoi zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.