MENU
klinika

Tafani rrëfeu planet e Laert Haxhisë për ekzekutimin e tyre

Merren në mbrojtje prokurorja e SPAK dhe ajo e Lushnjës

03.10.2023 - 10:15

Dëshmia e të penduarit të Prokurorisë së Elbasanit, Artan Tafani, pretendohet se ndër krimet që iu ka faturuar grupit të vet kriminal, me në krye Laert Haxhiun, ka nxjerrë edhe tri plane për eliminimin e njerëzve të drejtësisë.

Edhe pse asnjë instancë shtetërore nuk ka pasur informacion mbi një mori vrasësish që silleshin mes Lushnjës, Elbasanit dhe Tepelenës për të ekzekutuar njerëz, tentativa për vrasjen e dy prokuroreve dhe një avokati u dha pikërisht prej tij.

Por, ndryshe mekanizmit që është ndjekur nga grupi kriminal, gjithnjë sipas të dhënave që ka nxjerrë Prokuroria e Elbasanit, për të ekzekutuar dy prokuroret që i kanë hetuar për ngjarjen që u konsiderua si masakra e Lushnjës, për avokatin ende nuk dihet se cili ka qenë shkaku.

Ky i fundit ka mohuar të ketë marrë ndonjëherë ndonjë kërcënim. Madje ai doli publikisht e tha se po të kishin dashur mund ta vrisnin, pasi asnjëherë nuk ishte ruajtur, duke qenë se ka lidhje gjaku me të penduarin e drejtësisë. Nuk bëhet ende me dije nëse në drejtim të tij të jetë marrë ndonjë masë mbrojtëse, kur sipas tij ka qenë vëllai i të penduarit, i cili e ka kërkuar avokatin të jetë mbrojtësi i Artan Tafanit ditën që ai është vënë në pranga.

Megjithatë, Prokuroria e Elbasanit që ka çështjen e bandës së re të Lushnjës, vijon të nxjerrë detaje në lidhje me dëshmitë e vrasësit që tashmë është penduar!

MBROJTJA

Kështu pas prokurores së SPAK, Doloreza Musabelliu, është marrë në mbrojtje edhe ish-prokurorja e Lushnjës, Merita Selimi. Të dyja prokuroret, bashkë me avokatin Adriatik Doga, sipas dëshmisë të bashkëpunëtorit të drejtësisë, ishin në shënjestrën e Laert Haxhiut për t’u eliminuar. Selimi, e shkarkuar nga KPK, është marrë në mbrojtje nga Policia e Lushnjës dhe do të shoqërohet kudo që lëviz.

Për Selimin ka marrë vendim mbrojtje edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë ditën e djeshme. Dy prokuroret u morën në mbrojtje pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani, i cili ka rrëfyer planin e Laert Haxhiut për t’i vrarë.

Sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë të dyja prokuroret janë ndjekur për disa muaj, ku përgatitja e Laert Haxhiut dhe anëtarëve të grupit të tij, ishte vrasja e tyre ose e familjarëve, për shkak se të dyja kishin hetuar masakrën e Lushnjës me 2 të vrarë e 2 të plagosur!

“IMPLIKIMI” I PROKUROREVE ME BANDËN

Prokurorja Merita Selimi hetoi Laert Haxhiun, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin për masakrën e vitit 2017, ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën Bujar Turku dhe Marjus Xhepexhiu.

U bënë gati dy vjet hetime dhe më pas Selimi shpalli moskompetencë për dosjen, duke ia kaluar SPAK dhe prokurores Doloreza Musabelliu, ku aktualisht ka dënuar me burgim të përjetshëm Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, ndërsa ka ende në fazë gjykimi Laert Haxhiun, i paekstraduar ende nga Greqia për shkak se ai pretendon se në vendin tonë nuk do të gjykohet drejtë.

Merita Selimi në muajin Korrik 2023 u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me dy votat e Brunilda Bekteshit, Etleda Çiftja. Një votë “pro” kalimit të saj të procesit të “Vetingut” ishte ajo e Lulzim Hamitaj, por nuk mjaftoi. Çështja e saj ka kaluar në KPA, ku më pas vendimmarrja do të jetë përfundimtare, nëse Selimi do të dalë apo jo nga sistemi i drejtësisë.

Artan Tafani ka treguar edhe planin për ekzekutimin e avokatit Adriatik Doga, i cili sipas tij i ka shpëtuar vrasjes në fraksion sekonde në tetor 2021 në Lushnjë. Sipas të penduarit të drejtësisë avokatin do e vriste vetë ai, Laerti dhe Lulzim Arapi.

Avokatinë momentin që grupi kriminal zbarkoi me arsenal armësh pranë banesës së tij, ai është takuar me një fqinje, çfarë mendohet se ka detyruar tre personat të ndalojnë dhe të presin.

Por, avokati, pasi hyri në apartamentin e tij, nuk doli më nga aty, duke anuluar çdo gjë. Avokati Doga ka thënë për mediat se dëshmia i duket e pabesueshme pasi tre muaj më parë është takuar me Marjus Tafanin, madje pas arrestimit të tij familja e ka kontaktuar për ta mbrojtur atë në gjykatë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN