MENU
klinika

Paralajmërimi i Katarit

“Ndërhyrja tokësore e ushtrisë izraelite në Gaza me pasoja katastrofike”

29.10.2023 - 11:31

Ndërhyrja tokësore e Izraelit në Gaza do të ketë “pasoja katastrofike” në stabilitetin e rajonit, ka paralajmëruar Ministria e Jashtme e Katarit. Operacioni është pjesë e një politike të “ndëshkimit kolektiv dhe përpjekjeve për të zhvendosur me forcë popullin palestinez”, tha ministria, shkruajnë mediat e huaja.

Ky vend akuzoi Izraelin se ka kryer shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe humanitar duke i detyruar civilët të iknin në vendet fqinje. “Shteti i Katarit shpreh shqetësimin e tij të thellë për inkursionin tokësor izraelit në Rripin e Gazës dhe e konsideron atë një zhvillim të rrezikshëm që do të ketë efekte shkatërruese të sigurisë dhe humanitare në Rrip, veçanërisht në sigurinë e civilëve dhe pengjeve”, thuhet në një deklaratë.

Ai “gjithashtu paralajmëron për pasojat katastrofike në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit”. Ministria e Jashtme tha se ndërhyrja përbënte “shkelje flagrante” të rezolutës së miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar.