MENU
klinika

Zotohet se do ta “shkatërrojë” Hamasin

Netanyahu mbledh kabinetin qeveritar

15.10.2023 - 19:15

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka mbledhur kabinetin emergjent qeveritar për herë të parë të dielën, duke thënë se uniteti kombëtar i shpërfaqur ditëve të fundit ka dërguar mesazh brenda dhe jashtë shtetit.

Takimi është mbajtur në selinë e ushtrisë në Tel Aviv, dhe ka nisur me një minutë heshtje për t’i nderuar 1.300 izraelitët e vrarë nga grupi militant Hamas, më 7 tetor.
Duke e mirëpritur ligjvënësin opozitar, Benny Gantz, i cili i është bashkuar qeverisë bashkë me disa anëtarë të partisë, Netanyahu ka thënë se të gjithë ministrat janë duke punuar “pa orar, në një front të përbashkët”.

“Hamasi ka menduar se do të na shkatërrojë. Jemi ne ata që do ta shkatërrojmë Hamasin”, ka thënë Netanyahu, duke shtuar se shfaqja e unitetit dërgon mesazh te “kombi, armiku dhe bota”.
Ushtria izraelite është duke u përgatitur për një ofensivë në Gaza, për ta luftuar Hamasin. Ajo i ka urdhëruar mbi 1 milion palestinezë që të shpërngulen nga veriu në jug të Gazës.

Kombet e Bashkuara i kanë kritikuar urdhrat për evakuime dhe kanë paralajmëruar për katastrofë humanitare.

Ushtria izraelite ka bombarduar shënjestra të Hamasit në Gaza, prej sulmeve të pashembullta të grupit militant ndaj civileve izraelitë në fundjavën e kaluar.