Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe NATO po përpiqen me çdo kusht të arrijnë sa më parë një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës pas ngjarjes së rëndë në Bannjskë në shtator ku mbeti i vrarë një pjesëtar i Policisë së Kosovës, pas një sulmi terrorist nga serbët.
Rreshteri Bunjaku u vra në pritën që grupi i armatosur kishte zënë në hyrje të fshatit Banjskës në Zveçan. Në Beograd vazhdojnë të shtohen zërat se ky ishte një skenar i mirëorganizuar nga Perëndimi, por me një bashkëpunim dhe nga Serbia e Kosova. Gjithashtu dje NATO ka “blinduar” Veriun.
Prapaskenat e forta
Profesori Ognjen Radonjiç në Fakultetin Filozofik në Beograd tha për median serbe “Danas” se Serbia nuk do të sanksionohet nga BE. “Në pyetje janë rekomandimet e Parlamentit Evropian në lidhje me vendosjen e sanksioneve ndaj regjimit të Aleksandër Vuçiçit dhe nuk besoj se do të zbatohen. Natyrisht, është e rëndësishme të hetohet se çfarë ka ndodhur në të vërtetë në Banjska , por unë mendoj se kjo është një letër e vdekur”, i tha Danasit Ognjen Radonjiç.
Duke komentuar miratimin e djeshëm të rezolutës për Serbinë në PE, e cila i bën thirrje Këshillit të BE-së dhe Komisionit Evropian që të vendosin masa ndaj Qeverisë së Serbisë nëse vërtetohet se është përfshirë direkt në sulmin e ndodhur më 24 shtator në Banjska, ai thotë se ky veprim i bëri të ditur Vuçiçit se “duhet të dëgjojë për të gjithë hapat e ardhshëm, kur është fjala për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”. “E shihni që një ditë më parë ai ftoi serbët të marrin pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës, pas Banjskës”, thotë ai.
Siç interpreton ai, e gjithë ngjarja në Banjskë, kur u vra një polic i Kosovës dhe u vranë tre serbë që morën pjesë në atë sulm, duket e inskenuar me qëllim të përkeqësimit të pozitës negociuese të Serbisë. “Në këtë situatë, presidenti i Serbisë është në pozitë inferiore dhe si i tillë është ideal si për Perëndimin ashtu edhe për palën shqiptare, prandaj nuk besoj se as ai dhe as Serbia do të pësojnë ndonjë sanksion”, beson i intervistuari i Danas.
Siç thekson ai më tej, BE-ja do t’i falë Vuçiçin dhe Banjskën dhe nuk do të kërkojë as ekstradimin e Milan Radoiçiqit, të caktuar si lider i atij grupi kriminal të serbëve në veri të Kosovës, nëse ai është i bindur në negociatat e mëtejshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. “Do të japë çfarëdo që të kërkojnë prej tij. Kur them i orkestruar, atëherë dua të them se në këtë kanë marrë pjesë të gjithë edhe Perëndimi, edhe Beogradi dhe Prishtina”, tha ai
NATO “blindon” Veriun
Nga ana tjetër, sulmi në Banjska ka bërë të mundur pastrimin e Veriut nga terroristët serbë. Situatën në dorë e ka marrë Perëndimi. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar për ardhjen e trupave shtesë nga Britania e Madhe dhe Rumania në Kosovë pas sulmit të 24 shatorit. Vendimi për trupa shtesë, KFOR thotë se erdhi nga Komandanti Suprem ti Aleatëve të NATO-s në Europë dhe u miratua nga Aleatët në Këshillin e Atlantikut të Veriut, si një hap i kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.
“Një kontigjent prej dyqind ushtarësh britanikë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit dhe më shumë se 130 trupa shtesë nga Rumania mbërriti në Kosovë dhe iu bashkua kontingjentit të MB-së prej 400 trupash të vendosur tashmë, për të përforcuar misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR). Dislokimi vjen pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe rritjes së tensioneve në rajon për të përmirësuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe patrullimin përgjatë vijës kufitare administrative.
Ai bazohet në një kërkesë të Komandantit Suprem të Aleatëve të NATO-s në Evropë dhe u miratua nga Aleatët në Këshillin e Atlantikut të Veriut si një hap i kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes. për të gjithë njerëzit në Kosovë. NATO ka udhëhequr një operacion paqeruajtës në Kosovë që nga viti 1999 në përputhje me mandatin e saj sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. KFOR-i aktualisht përbëhet nga mbi 4,500 trupa të kontribuar nga 27 aleatë dhe partnerë të NATO-s”, shkruan KFOR.