Kuvendi nisi dje me kaos për shkak të përplasjeve mes deputetëve. Ndërsa kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolli nisi seancën, Sali Berisha dhe mbështetësit e tij bllokuan foltoren duke kërkuar që garda të dalë nga salla.
Jo vetëm kaq, por deputetët e PD-së nuk lejuan as socialistët që të merrnin fjalën nga vendi. Kjo solli përplasje fizike mes deputetit të PS-së, Vullnet Sinaj dhe deputetit të “Rithemelimit”, Bledion Nallbati. Ky i fundit i fiku mikrofonin, ndërsa përplasja mes tyre degradoi deri në përplasje fizike. U desh ndërhyrja e deputetëve të tjerë dhe Gardës për të qetësuar situatën. Deputetit i opozitës Nallbani u përjashtua nga parlamenti ndërsa seanca u ndërpre për disa minuta.
Edhe pas rinisjes së seancës sërish deputetët demokratë nuk i lanë socialistët që të flisnin. Deputeti Vullnet Sina po replikonte në momentin që kolegu demokrat, Bledion Nallbati i është afruar dhe ka tentuar ta godasë. Fillimisht, deputeti demokrat, Gazment Bardhi kërkoi fjalën për procedurë, por kryetarja e Kuvendin nuk e ka pranuar. Kjo solli dhe agravimin e situatës së deputetëve të opozitës, të cilët u ngritën dhe bllokuan foltoren.
Deputetë të opozitës dhe mazhorancës replikuan me njëri-tjetrin, duke mos lejuar të marrë fjalën asnjëri. Përplasja mes deputetëve të opozitës dhe atyre të mazhorancës vijoi edhe në ambientet e jashtme të Kuvendit. Ndonëse seanca plenare u ndërpre për shkak të akteve të dhunës, deputetët nuk mundën që të ulin tensionet as jashtë Kuvendit. Ndërkohë, Berisha bllokoi foltoren duke iu drejtuar publikut përmes rrjeteve sociale.
“Banda Rama ka vetëm një qëllim, të mbrojë Edi Ramën nga krimet e tij të shëmtuara, nga vjedhjet monstruoze, të mbrojë familjen e tij nga pasurimi i paligjshëm, të mbrojë lidhjet e tij me drogën, me Pëllumb Gjokat, me Luftar Hysat. Të mbrojë vjedhjet e mëdha që u bën shqiptarëve, të mbrojë dhunimin e votës. Por Edi Ramës i ka ardhur fundi”, – deklaroi Berisha.
Për shkak të tensioneve, parlamenti nuk arriti dot të zhvillonte një mbledhje normale, ndaj dhe kryetarja e kuvendit mbylli seancën. Jashtë sallës, Berisha tha se opozita do ta mbrojë deri në fund Kushtetutën.
“Maxhoranca mund të përjashtojë, po popullin nuk e përjashton sot kurrë. Beteja jonë është pa kthim, do përdoren të gjitha format. Do mbrojmë pluralizmin demokratik. Nuk ka parlamentet dhe parlamentarë të cilët përfaqësojnë opozitën dhe nuk mund të hartojnë ligje, të krijojnë komisione hetimore dhe nuk mund të marrin dokumente që u duhen për të kryer funksionin e tyre”, tha ai.
Ndërsa deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi mbrojti jo vetëm aksionin opozitar, por edhe Berishën, nga akuzat që i janë bërë nga SPAK.
“Për mua, Arbër Malltezi është i burgosur politik. Sali Berisha është një i përndjekur politik. Ju e njihni Berluskonin. Ka pasur 475 çështje por nuk i ka hequr pasaportën. Ajo që unë theksoj është që loja politike që përdoret për mua është shumë e shëmtuar dhe krijon terror. Janë 16 pronarë dhe pse duhet të arrestohet njëri dhe jo të 16-të me logjikë?! Këtu është problemi i mos funksionimit të shtetit”, tha ajo.
Por socialistët thanë se janë të vendosur të mos lejojnë bllokimin e kuvendit.
“E them me bindje se ishte skenar, sepse sot ishte seanca që ne i drejtohemi dhe shprehim të gjitha shqetësimet që marrim nga java e gjelbër dhe asnjë nga grupi opozitar që krijoi edhe atë skenë të papranueshme sot, nuk ishte regjistruar më përpara për të folur. Pra, ishin përgatitur për këtë skenar. Besoj se kjo është e qartë skenari i atyre për të prishur me çdo formë seancat solemne plenare por ju garantoj që kjo gjë nuk do të ndodhë, parlamenti do të vazhdojë normalisht. Do të vazhdojmë të merremi me të gjitha projektet, të miratojmë projektligjet që janë në të mirën e avancimit të Shqipërisë në rrugën drejt BEsë dhe padiskutim në të mirën e të gjithë shqiptarëve.”, u shpreh kreu i Grupit Parlamentar të PS, Bledi Çuçi.
Por deputeti Gazmend Bardhi paralajmëroi se nuk mund të ketë bashkëjetesë normale në parlament, për sa kohë opozitës do t’i shkelen të drejtat e saj themelore.