MENU
klinika

Emri

Pas dorëheqjes së Jeta Dedës, një ish-deputet i LSI në krye të AKU

28.10.2023 - 11:42

Rrushi është kandidatura për të cilën është vendosur dhe ditën e hënë do të prezantohet nga ministrja Denaj.
Pas dorëheqjes së Jeta Dedës nga posti i Drejtores së Përgjithshme të AKU, kanë nisur lëvizjet për të gjetur pasardhësin e saj në krye të këtij institucioni.

Burime konfidenciale bëjnë të ditur se më afër emërimit si Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, është Edmond Rrushi.

Rrushi është kandidatura për të cilën është vendosur dhe ditën e hënë do të prezantohet nga ministrja Denaj.

Ai më herët ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Rrushi u fut në parlament në vitin 2019, pasi pranoi të merrte këtë detyrë, sapo PD dhe LSi dogjën mandatet dhe lanë Kuvendin.

Më herët, Rrushi ka qenë dhe Drejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, si dhe ka qenë drejtues i lartë i një agjencie në varësi të Ministrisë së Mjedisit.

Kujtojmë që Jeta Deda ka dhënë dorëheqjen dje nga posti i drejtoreshës së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).

Dorëheqjen e ka njoftuar vetë ajo përmes një postimi në rrjete sociale ku shkruan se është tërhequr nga detyra për të ndjekur një orientim tjetër profesional.

“Prej sot mbyll një kapitull të bukur të jetës time profesionale, duke u tërhequr nga detyra si Drejtore e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe duke ndjekur një orientim tjetër profesional. Ndahem nga një ekip, të cilin e falenderoj për çdo punë të mirë të kryer së bashku.

Shpreh mirënjohjen e thellë ndaj Kryeministrit e Këshillit të Ministrave për besimin e dhënë dhe ish-Ministres Krifca dhe Ministres aktuale Denaj, me të cilat arrita të bashkëpunoj gjatë kësaj udhe. Po ashtu, mirënjohëse ndaj stafit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për mundësinë e shërbimit në këtë detyrë, pasi mbështetja juaj e pakufi dhe bashkëpunimi kanë qenë kryefjala në gjithë rezultatet e arritura së bashku në lëmin e sigurisë ushqimore.

Një falenderim i veçantë i takon ekspertëve shumëvjeçarë në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit. Dedikimi dhe puna e tyre janë rregullatorët e sistemit dhe standardeve që duam të vendosim, në rrugëtimin drejt integrimit europian e kryesisht në shërbim të atdheut. Nuk kam dyshim se kjo skuadër do të shkëlqejë me këdo menaxher që iu bashkohet. Teksa bëhem gati për angazhime të reja, e shikoj kohën si Drejtore e Përgjithshme e AKU-së me mirënjohje të thellë për përvojën e marrë, dijet e përftuara dhe marrëdhëniet e mira të ngritura”, ka shkruar ajo.

Deda u emërua në krye të AKU dy vite më parë, pasi zëvendësoi Bledar Skënderin.