Rabie Cenalia dhe Jalldiz Kastrati, janë dy avokatet e e caktuara kryesisht nga shteti për të mbrojtur ish-kryeministrin Berisha, në procesin gjyqësor të nisur ndaj tij.
Janë pikërisht dy zonja, avokatet që do të përfaqësojnë Berishën në seancën e planifikuar për këtë të enjte.
Ajo që bie në sy është se një prej avokateve të caktuara, Jalldiz Kastrati, është një aktiviste politike e angazhuar pranë Partisë së Lirisë.
Ndërkohë, Gjykata e Posaçme caktoi fillimisht avokatin Artan Simoni, si mbrojtës ligjor të Berishës, ndërkohë që pak orë më vonë ai u hoq për shkak të qëndrimeve kundër ish-kryeministrit Berisha në rrjete sociale.
Në seancën e mbajtur një ditë më parë, avokati Genc Gjokutauj doli në një deklaratë për mediat ku tregoi se ai dhe avokati tjetër i ish-kryeministrit Berisha vendosën të braktisin seancën.
Sipas tij, gjykata shkeli kushtetutën dhe ligjin. Gjokutaj u shpreh se në kundërshtim me ligjin, GJKKO nuk e pranoi kërkesën e tyre për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të shqyrtimit të masës së sigurisë pa kaluar nga parlamenti.
Ish-kryeministri është person nën hetim nga GJKKO për korrupsion pasiv, pasi përmes akteve ligjore ka favorizuar dhëndrin për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Ndaj ish-kryeministrit Berisha janë vendosur masat e sigurisë “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” për akuzën “korrupsion pasiv”.