Të enjten e 5 Tetorit u mblodhën në Granada të Spanjës rreth 50 liderë evropianë për të diskutuar për çështjet që prekin rajonin si dhe shtrimin e një zgjidhjeje për konfliktet në pragun e Evropës.
Në një analizë të Politico shkruhet se ky takim përfundoi pa asnjë përparim të rëndësishëm.
Përmes këtij samiti pritej të punohej edhe për zbutjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, çka realisht nuk ndodhi. Ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ajo e cila refuzoi bisedimet me homologun e saj serb Aleksandër Vuçiç nëse nuk vendoseshin sanksione kundër Beogradit, pas një sulmi serb në Kosovë.
Ky edicion i tretë i këtij takimi të Komunitetit Politik Evropian, në fakt u paraqit si një mundësi për të ndërmjetësuar paqen midis Armenisë dhe Azerbajxhanit si dhe për të depërshkallëzuar tensionet në Ballkan e më tej me qëllim zhvillimin e një bisede strategjike për sigurinë e kontinentit.
Por, në fakt, në mungesë të lojtarëve kryesorë, nuk u arrit të bëhej ndonjë përparim i madh në zgjidhjet e konflikteve në zonë.
“Shpresat e të pranishmëve në marrjen e hapave për zgjidhjen e krizës humanitare në Nagorno-Karabakh u shkatërruan kur Ilham Aliyev i Azerbajxhanit dhe Recep Tayyip Erdoğan i Turqisë vendosën të anashkalojnë mbledhjen”, shkruhet në artikull.
Liderët prisnin të zhvillonin edhe takimin e parë mes Aliyevit dhe Nikol Pashinyanit të Armenisë, që nga koha kur Azerbajxhani nisi edhe ofensivën e rrufeshme në Nagorno-Karabakh, duke shkaktuar një eksod prej 100,000 refugjatësh.
Fillimisht, Azerbajxhani e akuzoi Francën për njëanshmëri në negociata dhe në fund ra dakord të bisedonte, por vetëm nën kujdesin e BE-së në Bruksel.
Gjithçka arrit kulmin shkruan Politico, kur vendi pritës, Spanja, anuloi një konferencë shtypi të planifikuar në minutën e fundit, çka supozohej të ishte momenti kryesor i samitit për rreth 700 gazetarë. Ai kishte për qëllim të përfshinte deklarata dhe të shënonte zyrtarisht dorëzimin e administrimit të Komunitetit Politik Evropian nga Spanja në Mbretërinë e Bashkuar.
Një ‘treg’ për liderët
Mungesa e entuziazmit të liderëve u pa që pa nisur samiti, ndërsa udhëheqësit nuk ishin të gatshëm për t’u përgjigjur për gazetarët.
Ndërsa, gjatë një konference për shtyp, presidenti francez foli për bisedimet e zhvilluara.
Përveç forcimit të bashkëpunimit për të luftuar krimin kibernetik midis 47 anëtarëve të EPC-së, ai përmendi bisedimet për Armeninë – të mbajtura në mungesë të antagonistit kryesor Azerbajxhani – si dëshmi e dobisë së takimit.
Ndërsa, i pyetur në lidhje me ndalimin e ndihmës nga ana e SHBA-së për Ukrainën, presidenti francez i quajti miliarda dollarë mbështetjen e SHBA-së si një plotësim të kontributit të BE-së, por paralajmëroi se “nuk mund të zëvendësojë mobilizimin europian”.
Nga ana tjetër, presidenca spanjolle nuk pranoi të shpjegojë pse u anulua konferenca kryesore për shtyp. Sipas një diplomati të BE-së, ndërsa nuk kishte “çështje thelbësore”, nuk kishte pothuajse asnjë nevojë për deklarata për shtyp.
Ndoshta i vetmi përparim u bë në zgjidhjen e konflikteve, bisedimet u përqendruan në migracionin, një temë e nxehtë për Rishi Sunak të Mbretërisë së Bashkuar, vendi i të cilit ka pak mundësi për të diskutuar këtë çështje me vendet evropiane që nga Brexit.
Sipas Macron, është mbajtur një takim i dytë midis Sunak, Meloni dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili dha premtime për të rritur bashkëpunimin për ndarjen e informacionit dhe operacionet kundër trafikimit në vendet e tranzitit dhe të nisjes.