MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Pse hipertensioni kronik është i rrezikshëm?

25.10.2023 - 08:24

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Pse hipertensioni kronik është i rrezikshëm?

Mjeku: E dini pse çdo vizitë në konsultë me mjekun fillon me matjen e tensionit? Kjo ndodh sepse presioni arterial tregon shumë mbi gjendjen tuaj shëndetësore dhe riskun për sëmundje të tjera në të ardhmen.

Hipertensioni arterial kronik është drejtpërdrejtë i lidhur me sëmundjet kardiovaskulare. Por, lajmi i mirë është se normalizimi i presionit të gjakut mund të reduktoj riskun për këto sëmundje.

Arsyeja pse hipertensioni trajtohet është për shkak se në këtë mënyrë mund të parandalohen një sërë sëmundjesh si: goditjet në tru – stroke, ataku në zemër, dëmtimi i veshkave dhe insufiçenca kardiake. Normalizimi i vlerave të tensioni nën 120/80 mm Hg ul rrezikun për zhvillim të këtyre sëmundjeve të rrezikshme për jetën.

Forma më e shpeshtë e hipertensionit është hipertensioni primar. Është një sëmundje që mund të shkaktohet nga gjenetika dhe mosha. Në moshën 80 vjeçare, rreth 90% e personave do të kenë hipertension, kjo për shkak të atherosklerozës.

Por hipertensioni mund të jetë edhe sekondar, gjendje e cila mund të shkaktohet si pasojë e sëmundjeve të veshkave apo çrregullimeve hormonale.

Si dëmton hipertensioni?

Në qetësi, një zemër normale ka rreth 60 deri në 100 rrahje në minutë, kjo në varësi të moshës ose aktivitetit fizik. Kjo do të thotë se, zemra rreh rreth 86,400 herë në ditë ose 31,536,000 në vit. Duket një punë shumë e madhe për një muskul në madhësinë e një grushti. Dhe si çdo muskul që ushtrohet, edhe muskuli i zemrës do të zmadhohet nëse detyrohet të sforcohet.

Por një zemër e madhe, nuk është një shenjë e mirë për shëndetin. Kur ventrikuli i majtë i zemrës arrin një madhësi të caktuar, ai nuk kontraktohet më me forcën e mjaftueshme për të pompuar gjakun siç duhet. Kjo gjendje mund të çojë në insufiçencë kardiake.

Hipertensioni mund të shkaktoj edhe ngurtësim të muskulit të zemrës, duke mos e lejuar relaksimin e duhur të këtij muskuli, gjendje kjo që gjithashtu mund të çojë në insufiçencë kardiake.

Hipertensioni ushtron një stres të vazhdueshëm edhe në arterie, çka mund t`i bëj ato më të prirura për t`u dëmtuar dhe për të shkaktuar stroke hemorragjik. Edhe formimi i pllakave atherosklerotike është më i favorizuar në personat me hipertension, çka rrit rrezikun për stroke ishemik dhe atak në zemër.

Shumica e hemorragjive cerebrale të lidhura me hipertensionin janë spontane dhe ato janë rreth 60% më shumë të shprehura në personat me hipertension.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.