MENU
klinika

Analiza

Pse Irani është futur “kokë e këmbë” në luftën Izrael-Hamas?

21.10.2023 - 19:55

Sulmet e zmbrapsura kundër Izraelit nga Libani dhe Jemeni, me ndërhyrjen ushtarake të SHBA, në mbrojtje të Tel Avivit dhe pushtimit të afërt tokësor të Gazës. Këto janë elementët më të rëndësishëm të një konflikti që po mban mbërthyer gjithë botën. Nga njëra anë, presidenti amerikan Joe Biden i kërkon vendit “mbështetje të paprecedentë” për Izraelin, duke nënvizuar se sa shpëtimi i Tel Avivit është i barabartë me shpëtimin e SHBA-së. Dhe në anën tjetër, futet në lojë Rusia, të cilën Izraeli e ka paralajmëruar se do të paguajë “çmim të lartë” për mbështetjen e Hamasit. Urrejtja për Izraelin dhe demonstratat pro-palestineze, duket se po përhapen në mënyrë të frikshme në gjithë globin dhe duket se bota islame po mobilizohet. Se ku po shkon konflikti, me gjasë nuk e dinë as ata që e nisën.

Fronti i tretë i luftës

Vendet perëndimore që mbështesin Izraelin kanë frikë nga një luftë më e gjerë që do të përfshinte Libanin, me grupin e tij islamik Hezbollah të mbështetur nga Irani, si një front të dytë dhe Bregun Perëndimor, të cilin mediat izraelite po e quajnë një front të mundshëm të tretë. Dhuna përbën një sfidë si për Izraelin ashtu edhe për Autoritetin Palestinez (PA), i vetmi organ qeverisës palestinez i njohur ndërkombëtarisht me bazë në Bregun Perëndimor. Ushtria izraelite tha se ishte në gatishmëri të lartë dhe po përgatitej për sulme, përfshirë ato të militantëve të Hamasit në Bregun Perëndimor. Nizar Mughrabi, pronar i një kompanie arkitekturore, tha se populli duket i gatshëm të luftojë. “Netanyahu dëshiron të luftojë, Haniyeh dëshiron të luftojë, çojini në shkretëtirë me armë dhe lërini të qëllojnë njëri-tjetrin,” tha ai, duke iu referuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Lufta me 3 faza

Sakaq, Izraeli duket i qartë në objektivat e tij, bazuar në fjalët e Ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant, që tha se pasi grupi terrorist të jetë shkatërruar, do të ketë një “realitet të ri sigurie” në territor. Gallant tha se lufta do të ketë tre faza kryesore. “Ne jemi në fazën e parë, në të cilën po zhvillohet një fushatë ushtarake me sulme ajrore dhe më vonë me një ofensivë mokësore me qëllim të shkatërrimit të operativëve dhe dëmtimit të infrastrukturës me qëllim të mposhtjes dhe shkatërrimit të Hamasit,” tha Gallant. Ai sqaroi se faza e dytë do të vazhdojë luftimet, por me një intensitet më të ulët, ndërsa trupat punojnë për të “eliminuar xhepat e rezistencës”.“Hapi i tretë do të jetë krijimi i një regjimi të ri sigurie në Rripin e Gazës, heqja e përgjegjësisë së Izraelit për jetën e përditshme në Rripin e Gazës dhe krijimi i një realiteti të ri sigurie për qytetarët e Izraelit dhe banorët e zonës përreth Gazës”, tha ai.

“Dora ruse”

Po aq e qartë është edhe “dora ruse” në gjithë këtë krizë. Amir Weitmann, kreu i grupit libertarian në partinë Likud të Izraelit, partia e kryeministrit Benjamin Netanyahu, duke folur për pretendimet e fundit në lidhje me spitalin al-Ahli në qytetin e Gazës, Weitmann kritikoi Rusinë, duke thënë: “Ne do t’i japim fund kësaj lufte, do të fitojmë sepse jemi më të fortë. Pas kësaj, Rusia do të paguajë çmimin, më besoni, Rusia do ta paguaj çmimin”. “Rusia mbështet armiqtë e Izraelit. Rusia mbështet nazistët që duan të kryejnë gjenocid kundër nesh dhe Rusia do të paguajë çmimin,” tha Weitmann. “Ne do ta fitojmë këtë luftë. Pas kësaj, ne nuk do të harrojmë atë që po bëni, nuk do të harrojmë, do të vijmë, do të sigurohemi që Ukraina të fitojë”, tha ai.

Alarmi i Iranit

Rusia, edhe këtu, ka pas vetes Iranin, i cili nuk i ndal provokimet. Madje së fundmi ka ngritur flamurin e tij të zi mbi faltoren Razavi në Mashhad. Disa përdorues të mediave sociale kanë pohuar se flamuri që po ngrihet është një thirrje për luftë. Megjithatë të tjerë thane se në fakt është një simbol zie. Më 18 tetor 2023, një flamur i zi u ngrit në provincën Khorasan të Iranit mbi faltoren e Imam Rezait në Mashhad, e cila është një kompleks fetar. Ai është ngritur si një simbol i solidaritetit me popullin palestinez pasi Hamasi bëri pretendimin shumë të diskutueshëm se një sulm ajror izraelit goditi një spital duke vrarë 500 njerëz.