Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha dje se Moska është e gatshme për bisedime mbi “zgjidhjen pas konfliktit” të luftës në Ukrainë.
Shoigu i bëri komentet në Forumin Xiangshan të Pekinit, ngjarja më e madhe e diplomacisë ushtarake të Kinës, duke thënë se Rusia është gjithashtu e gatshme për bisedime për “bashkë ekzistencën” e mëtejshme me Perëndimin, por tha se vendet perëndimore duhet të ndalojnë së kërkuari humbjen strategjike të vendit të tij.
Perspektiva e bisedimeve të paqes midis Kievit dhe Moskës është ngritur shumë herë që kur presidenti rus Vladimir Putin filloi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës.
Kremlini ka specifikuar disa kushte që janë të panegociueshme për Rusinë, duke përfshirë që Ukraina duhet të pranojë aneksimin e shtatorit 2022 të katër prej rajoneve të saj, Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia, pas referendumeve të thirrura nga Putin.
“Në rast se krijohen kushtet e nevojshme, ne mbetemi të gatshëm për diskutime politike mbi një bazë realiste, si për zgjidhjen pas konfliktit të krizës ukrainase, ashtu edhe për parametrat e bashkëjetesës së mëtejshme me Perëndimin në tërësi”, tha Shoigu.
“Është e rëndësishme të sigurohen marrëdhënie të barabarta midis të gjitha fuqive bërthamore – anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilët mbajnë përgjegjësi të veçantë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit global,” shtoi ai.
“Për të formuar një rend botëror të drejtë dhe shumëpolar, është e nevojshme të përditësohet arkitektura e sigurisë ndërkombëtare dhe t’i jepet stabilitet më i madh. Ndaj është e nevojshme të bashkohen përpjekjet e të gjitha vendeve të interesuara,” tha ministri.