Pas një seance të gjatë natës, Kuvendi i Malit të Zi, ka zgjedhur mëngjesin e sotëm (31 tetor) Qeverinë e kryeministrit Millojko Spajiq.
Qeveria mori mbështetjen e 46 deputetëve nga partia e Spajiqit, Lëvizja Evropa Tani, nga partia pro-ruse Fronti Demokratik që është shpërbërë së fundi, Demokratët, Partia Popullore Socialiste dhe partitë shqiptare.
Ndërkohë, siç bëjnë të ditur mediat se një nga ministrat nga partia PES e kryeministrit është edhe Filip Ivanoviq (Punë të Jashtme).
Ndërsa sa i përket partive shqiptare, Nik Gjeloshaj është zëvendëskryeministër për Politikat Ekonomike dhe Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Fatmir Gjeka është ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve dhe Marash Dukaj është Ministër i Administratës Publike, raporton Telegrafi.
Ndër tjerash, Dragan Krapoviq është ministër i Mbrojtjes, Vladimir Martinoviq është ministër i Turizmit, Ekologjisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm, ndërsa Tamara Vujoviq është ministre e Kulturës dhe Mediave.
Për zgjedhjen e Qeverisë, 19 deputetë opozitarë votuan kundër, një abstenoi dhe pesë deputetë munguan në seancë gjatë votimit.
Qeveria e re e Malit të Zi i jep fund udhëheqjes së ekzekutivit me mandat teknik të Dritan Abazoviçit, Qeveria e së cilit u rrëzua përmes një mocioni të mosbesimit në gusht të vitit 2022.