MENU
klinika

“Të ardhurat për frymë mbesin në vend”

Raporti i OKB-së: Shqipëria, larg mesatares së BE-së

10.10.2023 - 09:42

Shqipëria ka arritur të ruajë rritje ekonomike të qëndrueshme, pavarësisht tkurrjes së shkaktuar nga pandemia e COVID-19, por gjithsesi kjo nuk i ka shërbyer asaj për të mbyllur hendekun që ka me Bashkimin Europian në terma të PBB-së për frymë në standardin e fuqisë blerëse.

Një raport përmbledhës i Komisionit Ekonomik për Europën në Kombet e Bashkuara, i publikuar këtë javë, ndalet në disa aspekte të ekonomisë duke nënvizuar ndër të tjera edhe sfidat.

“Ekonomia e Shqipërisë është zgjeruar me një ritëm lehtësisht të përshpejtuar gjatë dekadës së fundit, duke u rikthyer fuqishëm nga tkurrja e shkaktuar nga pandemia COVID-19.

Pavarësisht kësaj, ritmi i konvergjencës me BE-në deri vonë ka qenë mjaft i ngadaltë dhe PBB për frymë në Standardin e Fuqisë Blerëse përfaqëson ende më pak se një të tretën e mesatares së BE-së.

Duke pasur parasysh këtë ndryshim në standardet e jetesës, daljet migratore kanë qenë të mëdha, duke rezultuar në remitanca që janë afër 10% të PBB-së dhe një popullsi në moshë pune në tkurrje. Punësimi në bujqësi ka qenë në rënie të vazhdueshme, por ende zë rreth 35%”, thuhet në raport.

Një tjetër element që merr parasysh raporti është fakti që tregtia mbetet ende nën potencial. Kështu hapja tregtare cilësohet se është relativisht e ulët, gjë që e pengon vendin të kapërcejë në mënyrë më të plotë kufizimet e tregut të vogël vendas.

“Aftësia për t’u integruar më plotësisht në ekonominë globale kufizohet nga të metat e mjedisit rregullator dhe infrastrukturës së papërshtatshme, e cila dëmton lidhjen.

Pavarësisht përmirësimeve të fundit, marrëveshjet e kalimit kufitar ofrojnë hapësirë për përmirësime të konsiderueshme.

Reduktimi i rreziqeve rregullatore dhe përmirësimi i cilësisë së administrimit do të kishte një ndikim pozitiv në rritjen e tregtisë dhe tërheqjen e IHD-ve, duke mbështetur kështu diversifikimin e eksporteve dhe duke përfituar nga zhvendosjet e mundshme të flukseve të investimeve për shkak të afërsisë” nënvizon dokumenti i UNECE.

Shqipëria vlerësohet se ka një performancë të dobët të inovacionit dhe rritja e ulët e produktivitetit ngadalëson përfitimet nga zhvillimi.

“Tregu i punës karakterizohet nga nivele të larta papunësie, përqindje të ulëta pjesëmarrjeje dhe informalitet të përhapur. Së bashku me mangësitë e aftësive, këto karakteristika strukturore kufizojnë rritjen e produktivitetit, ndërkohë që pjesa e punësimit në profesionet me aftësi të larta është shumë më e ulët se ajo e vërejtur në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Performanca e inovacionit është e dobët, me një hendek kundrejt BE-së që po bëhet më i madh. Ka një hapësirë të konsiderueshme për të përmirësuar mjedisin e biznesit, duke gjykuar nga renditjet e ndryshme ndërkombëtare, në dimensione të ndryshme”, vlerëson dokumenti./Monito