MENU
klinika

Tirana mban peshën më të madhe

Rritet ndjeshëm numri i individëve që përfitojnë pension familjar

07.10.2023 - 12:37

Numri i personave që përfitojnë pension familjar është rritur ndjeshëm në gjysmën e parë të vitit duke rënduar më shumë në buxhetin e shtetit. Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, në total janë rreth 47.285 pensione familjare, me një rritje prej 500 përfituesish në 6-mujorin 2023, krahasuar me një vit më parë. Ajo që vihet re është se numri më i lartë është përqendruar në qendrat urbane me 43,400 pensione familjare dhe 3,885 janë në zonat rurale.

Nëse do të bënim një analizë sipas qarqeve, duket se Tirana zë peshën kryesore, duke qenë se është edhe qarku me numrin më të lartë të popullsisë me mbi 14 mijë përfitues. Më pas renditet Durrësi, Elbasani dhe Fieri ndërsa më pak përfitues ka qarku i Gjirokastrës me vetëm 1400 të tillë.

Referuar ligjit në fuqi “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, pension familjar përfiton një person i ve’ kur është mbajtës i një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç; i paaftë për punë; Ka mbushur moshën 55 vjeç për gratë dhe 60 për burrat. Jetimi që ishte në ngarkim të personit që ka humbur jetën dhe është nën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç, nëse studion ose është i paaftë për punë; Prindërit, kur kanë arritur moshën 65 vjeç ose janë të paaftë për punë, prindërit e prindërve, njerku e njerka, kur nuk kanë persona që detyrohen t’i mbajnë, nëse provohet se ata jetonin në të njëjtën familje me personin që ka humbur jetën, jo më pak se një vit para momentit të vdekjes dhe kanë arritur moshën 65 vjeç, ose janë të paaftë për punë; Nipërit e mbesat, kur janë në ngarkim të një personi që ka humbur jetën dhe bëjnë pjesë në të njëjtën familje me të. Në këtë rast ata trajtohen si jetimë.

Elisabeta Dosku/ SCAN