Familjet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut e paguajnë më shtrenjtë energjinë që konsumojnë, në raport me vendet e tjera të rajonit. Të dhënat janë publikuar nga Eurostat.
Sipas Eurostat, në 6-mujorin e parë 2023, një kilovat orë (Kvh) energji në Shqipëri kushtonte 0.101 euro (ose 10.1 euro për 100 kilovat orë), ndërsa në Maqedoninë e Veriut është lehtësisht më e shtrenjtë në 0.105 euro për kilovat orë (10.5 euro për 100 kilovat orë).
Familjet e Kosovës kanë energjinë më të lirë në Europë, me 0.067 euro për kilovat orë, sipas Eurostat. Pas tyre renditet Turqia (0.084), Bosnjë dhe Hercegovina (0.087), Serbia (0.096), Mali i Zi (0.096).
Mesatarja e Bashkimit Europian është gati tre herë më e shtrenjtë se rajoni, në 0.289 euro për kilovat orë.
Çmimet në BE po stabilizohen në 2023, por mbeten të larta
Sipas Eurostat, pas një rritjeje të konsiderueshme, që filloi përpara pushtimit rus të Ukrainës, por që kapi qiejt gjatë 6-mujorit të dytë të 2022, çmimet e energjisë elektrike dhe gazit po stabilizohen.
Çmimet e energjisë u rritën për shkak të shtrenjtimit të gazit natyror, i cili konsiderohet karburanti shtesë.
Kjo ndodhi për shkak se importet nga Rusia u ulën dhe u kërkuan burime të tjera furnizimi. Tregu i energjisë vlerësohet në bazë të karburantit shtesë, që do të thotë se çmimi i gazit natyror ndikon në çmimet e tregut të energjisë elektrike.
Vendet ndërtuan mekanizma për zbutjen e presionit ndaj konsumatorëve dhe një prej tyre ishin subvencionet.
Në gjysmën e parë të vitit 2023, çmimet mesatare të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë në BE vazhduan të shënojnë rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, nga 25,3 euro për 100 kvh në 28,9 euro për 100 kvh.
Edhe çmimet mesatare të gazit janë rritur krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, nga 8,6 euro për 100 kvh në 11,9 euro për 100 kvh në gjysmën e parë të 2023. Këto çmime janë më të lartat e regjistruara nga Eurostat.
Çmimi pa taksa për energjinë elektrike dhe gazin natyror është në ulje. Vendet pjesërisht kanë tërhequr masat e tyre mbështetëse. Si rezultat, çmimet përfundimtare të klientëve familjarë, përfshirë taksat janë pak më të larta se periudha e mëparshme e referencës.
Krahasuar me gjysmën e parë të 2022, në gjysmën e parë të 2023, pesha e taksave në faturat e energjisë elektrike ra nga 23% në 19% (-4%) dhe në faturën e gazit nga 27% në 19% (-8%), ku të gjitha vendet kanë pasur subvencione qeveritare ose kanë reduktuar taksat për të zbutur kostot e energjisë së lartë.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se çmimet e energjisë elektrike familjare u rritën në 22 vende të BE-së në gjysmën e parë të 2023 krahasuar me gjysmën e parë të 2022. E shprehur në monedhën kombëtare, rritja më e madhe (+953%) u raportua në Holandë.
Kjo rritje lidhet me disa faktorë: masat e lehtësimit të taksave nga viti 2022 nuk vazhduan në vitin 2023 dhe në të njëjtën kohë, taksat e energjisë elektrike për energjinë elektrike u dyfishuan për familjet. Rritje të mëdha në monedhën kombëtare u regjistruan gjithashtu në Lituani (+88%), Rumani (+77%) dhe Letoni (+74%).
Ulje të mëdha në çmimet në monedhën kombëtare u regjistruan në Spanjë (-41%), e ndjekur nga Danimarka (-16%). Ulje më të vogla u raportuan në Portugali (-6%), Maltë (-3%) dhe Luksemburg me afër 0 (-0.4%).