MENU
klinika

Analiza

Si konflikti i ndezur në Gaza, rrezikon të ‘djegë’ Europën?

18.10.2023 - 09:30

Gjatë javës së kaluar, hebrenjtë që jetojnë në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin, janë zgjuar me një pamje të frikshme, ku Yjet e Davidit janë stampuar në dyert e përparme të blloqeve të tyre të apartamenteve. Policia thotë se ka pasur vetëm tre incidente të tilla. Por për shumë, ato janë jehonë e dhimbshme e viteve 1930, kur nazistët shënjuan bizneset në pronësi të hebrenjve dhe i kërkuan publikut të bënte pazar diku tjetër.

Mbishkrimet pasqyrojnë një rritje të madhe të kërcënimeve dhe fyerjeve të drejtuara ndaj hebrenjve në Gjermani pas sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor, kur persona të armatosur vranë më shumë se 1400 civilë dhe ushtarë izraelitë, si dhe rrëmbyen dhjetëra të tjerë. Aktivistët palestinezë festuan sulmin duke shpërndarë ëmbëlsira në rrugët e Berlinit.

Felix Klein, komisioneri qeveritar për mbrojtjen e hebrenjve në Gjermani, tha se hebrenjtë e vendit ishin “të tmerruar nga antisemitizmi i shfaqur nga grupet myslimane dhe organizatat e ekstremit të majtë”. Tensione të tilla ndëretnike mund të përkeqësohen me rritjen e dhunës.

Ndërsa konflikti thellohet, hebrenjtë anembanë Evropës kanë frikë se mund të bëhen objektiv i zemërimit të myslimanëve për operacionin ushtarak në Gaza. Tensionet janë veçanërisht të larta në Francë, ku ndodhet një popullsi e madhe myslimane dhe komuniteti më i madh hebre pas Izraelit dhe SHBA-së.

Unhappy with unequivocal support for Israel, EU heads to seek consensus on Gaza war | The Times of Israel

Shpërthimi i konfliktit në Lindjen e Mesme ka shkaktuar shpesh një rritje të incidenteve antisemitike. Të shtunën, ministri i Brendshëm francez Gérald Darmanin tha se kishte pasur 189 kërcënime dhe 65 arrestime për komente ose akte antisemitike në Francë, që nga nisja e luftës mes Izraelit dhe Hamasit.

Pharos, një platformë në internet që lejon njerëzit të raportojnë gjuhën e urrejtjes, ka regjistruar 2,449 raste antisemitizmi.

Në Sarcelles, një periferi veriore e Parisit me një komunitet të madh hebre, rabini René Taieb tha se shumë prindër hebrenj i kishin mbajtur fëmijët e tyre larg shkollës të premten, në përgjigje të rritjes së kërcënimeve antisemitike në mediat sociale.

“Në disa shkolla në Val-d’Oise [një departament në veri-perëndim të Sarcelles], nga 600 nxënës, as 60 nuk u paraqitën,” tha Taieb, i cili drejton një komunitet hebre me 40,000 persona në rajon.

Frika vjen gjithmonë e në rritje pasi një burrë vrau një mësues gjatë një sulmi me thikë në një shkollë në Francën veriore të premten. Një incident që Presidenti Emmanuel Macron tha se tregon “barbarizmin e terrorit islamik”. Edhe pse sulmi nuk është kategorizuar si antisemitik, udhëheqësit hebrenj në Francë dhe zyrtarët e qeverisë kanë gjetur lidhje me konfliktin izraelito-palestinez.

Robert Ejnes, drejtor ekzekutiv i Crif, këshilli i shoqatave hebreje në Francë, tha se duke iu referuar historisë, përshkallëzimi i konfliktit arabo-izraelit rrit sulmet mbi hebrenjtë në Evropë.

Në Mbretërinë e Bashkuar, Policia Metropolitane tha se midis datave 29 shtator dhe 12 tetor kishte pasur 75 raportime për vepra antisemitike, nga 12 që ka patur në të njëjtën periudhë të vitit 2022. Incidentet e raportuara në polici u shtuan shtatëfish nga viti në vit, nga 14 në 105. Tre Shkollat ​​hebraike në veri të Londrës u mbyllën përkohësisht për arsye sigurie.

Konflikti Izrael-Hamas duket se ka prekur dhe komunitetin hebre të Italisë. Vendet publike janë dëmtuar nga mbishkrimet antisemite, duke përfshirë svastika dhe slogane që lavdërojnë Hamasin. Shkrimet “djegie e hebrenjve në furrë” u skalitën në muret e një spitali në Milano. Ruth Dureghello, ish-presidente e komunitetit hebre të Romës, tha se kishte frikë se situata mund të përkeqësohej pasi Izraeli po intensifikon reagimin e tij ushtarak në Gaza.

Israel's siege of Gaza is illegal, EU says

Në të gjithë Evropën, autoritetet shtuan sigurinë në sinagoga, shkolla hebraike dhe institucione të tjera. Darmanin tha se qeveria franceze do të “shpërndajë burimet financiare dhe njerëzore për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të ndihmuar në sigurimin e popullit hebre në Francë”. Qeveria franceze ka ndaluar gjithashtu të gjitha protestat pro-palestineze për shkak të shqetësimeve se ato mund të “prishin rendin publik”.

Pavarësisht ndalimit, turma të mëdha u mblodhën në Paris të enjten, duke brohoritur “izraelitët janë vrasës” dhe “Macron – bashkëpunëtor”. Protestuesit u shpërndanë nga policia duke përdorur gaz lotsjellës.

Edhe autoritetet në Berlin kanë ndaluar protestat pro-palestineze, një lëvizje që disa grupe të të drejtave e kanë dënuar si një shkelje të lirisë së fjalës.

Ndjenjat anti-izraelite në Gjermani kanë qenë më të spikatura në shkolla, veçanërisht në qytete me popullsi të madhe myslimane si Berlini.

Klein tha se disa fëmijë po shkonin në klasa me flamuj palestinezë dhe duke spërkatur mbi mure mbishkrime anti-sioniste.

Burimi: Financial Times