MENU
klinika

"Duhet të dialogojnë!"

Sulmi në Veri/ NATO mesazh Kosovës dhe Serbisë

12.10.2023 - 18:29

Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s kanë shprehur shqetësim për rritjen e tensioneve në Kosovë dhe u kanë bërë ftesë Kosovës dhe Serbisë që të zgjidhin mospajtimet e tyre përmes dialogut dhe mjeteve politike.

Ky mesazh u dha të enjten në selinë e NATO-s pas përfundimit të takimit të ministrave të Mbrojtjes të aleancës ushtarake perëndimore.

Më 24 shtator policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur i serbëve, të cilët vranë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve, autoritetet thanë se u vranë edhe tre sulmues.

Kosova e cilëson këtë sulm si terrorist dhe e fajëson Serbinë për të. Beogradi mohon se ka gisht në ngjarjet që ndodhën në fshatin Banjskë të Zveçanit, komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe.

Për shkak të këtij sulmi sulmi, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, njoftoi për shtimin e numrit të pjesëtarëve të misionit paqeruajtës në Kosovë, KFOR, por edhe rritjen e patrullimeve në veri.

Ai tha se Kosova ka qenë një prej temave kyçe në takimin e ministrave të Mbrojtjes.

“Kjo ishte një prej temave dhe çështjeve kryesore që u diskutuan sot nga ministrat. Ka pasur një situatë të vështirë dhe të tensionuar dhe ne e kemi ndjekur atë me shumë kujdes. Kemi rritur praninë tonë, sidomos në veri”, tha Stoltenberg.

Shefi i NATO-s tha se Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke shtuar se aleanca koordinon veprimet në terren me bllokun.

“Mesazhi kryesor është se Prishtina, por edhe Beogradi duhet të përmbahen nga veprimet që mund të përshkallëzojnë edhe më tej situatën dhe rrisin tensionet, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha Stoltenberg.

“Një prej mesazheve të rëndësishme sot ka qenë se NATO dhe BE-ja punojnë së bashku. Prania ushtarake e NATO-s, një prani e rritur ushtarake, mbështet përpjekjet diplomatike dhe politike të BE-së. Kemi pasur në takimin e sotëm edhe BE-në dhe është mirë të shohim se mund të bashkëpunojmë në çështjet e vështira siç është Kosova dhe Ballkani Perëndimor”, shtoi ai.

Pas takimit të ministrave të Mbrojtjes, Stoltenberg po ashtu tha se aleanca do të vazhdojë të zbatojë mandatin në Kosovë në mënyrë të paanshme, ashtu siç parashihet në mandatin që ka nga Kombet e Bashkuara.

Për të shtyrë përpara dialogun e BE-së dhe Marrëveshjen drejt normalizimit – që është arritur më herët gjatë vitit – përfaqësues të BE-së, Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Francës dhe Italisë do të vizitojnë javën e ardhshme Kosovën dhe Serbinë./REL

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sulmuesit u trajnuan në baza serbe

Sveçla: Serbia tentoi aneksimin e veriut të Kosovës


Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!