Biznesmeni Julian (Lul) Morina është thirrur ditën e sotme në SPAK.
Biznesmeni është filmuar teksa futet në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ndërsa ka qëndruar brenda për rreth 30 minuta. Ai nuk ka pranuar të prononcohet për mediat. Ende nuk dihen arsyet e thirrjes së tij në SPAK.
Po kush është biznesmeni Lul Morina?
Emri i Lul Morinës doli edhe një herë në vitin 2019 gjatë historisë së pazakontë të vëllezërve indianë Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara, të dyshuar për përvetësimin dhe pastrimin e 1 miliard USD përmes një skeme më kreditë bankare në Indi. Përgjatë viteve 2008-2011 ata kanë marrë qindra milionë dollarë kredi nga disa banka shtetërore të Indisë, para të cilat nuk kanë shkuar në llogarinë e sterling, por janë zhdukur përmes një rrjeti prej 300 kompanish offshore të ngritura nga vetë ata.
Dy vëllezërit indianë gjetën strehë në Shqipëri, ndërsa u pajisën me nënshtetësi nga Ilir Meta, ndonëse drejtësia indiane i kërkonte në të gjithë botën për pastrim parash. Ata krijuar në vitin 2017 dy kompani ndërtimi “Tulja Real Estate” dhe “Laxmi Real Estate&Investment”, ndërsa dhjetor 2018 hynë në ortakëri me 50 % të aksioneve me Lul Morinën, në kompaninë “DRYMADES DREAM”, e cila mes aseteve ka edhe resortin e njohur “DRYMADES DREAM” në Dhërmi.
Dy vëllezërit blenë 50 % të aksioneve për 100 mijë euro. Tre muaj më pas, Lul Morina i merr sërish 50 % të aksioneve, përmes kompanisë ‘Rinia 04’, duke u dhënë dy vëllezërve indianë një apartament në Vlorë.
Përpos kompanisë “DRYMADES DREAM”, Morina është pronar i disa kompanive të tjera NDËRTIMI si ‘Rinia 04’, kompania e ndërtimit Xheluks Construksion me të cilën ndërtoi pallatin pa leje si dhe pronar i kompanisë, themeluar në vitin 2022, më objekt zhvillimi dhe menaxhimi i projekteve gjeneruese të energjisë elektrike fotovoltaike.
Përmes kompanisë ‘Rinia 04’, Morina ka qenë pronar i kompanisë VILDRI, e cila ka fituar kontrata për ndërtim hidrocentralesh, ku më pas ia kaluar aksionet kompanisë Alpet Energy.
Lul Morina njihet edhe si ish donator i Klubit të Futbollit Tirana. Madje, në fund të vitit 2019, Morina shprehu interesin për t’i blerë Bashkisë së Tiranës 34 % të aksioneve të Klubit Tirana. “Me sa di unë, ekipi ka pasur dhe ka disa borxhe të mëparshme që ekzistonin që kur isha unë pjesë e Tiranës. Nuk kam një pasqyrë të qartë të situatës dhe borxheve. Fakti që dua të hyj në këtë klub dhe të marr aksionet e bashkisë ka përgjegjësi më vete. Këtë lëvizje e bëj për të ndërtuar diçka më të mirë, për të ngritur Tiranën atje ku e ka vendin”, tha Julian Morina.
Julian Morina njihet për jetën e luksit, ku ekspozon në rrjetet sociale një jaht me mbiemrin e tij ‘Morina’, makinë Rolls Royce etj. Lul Morina shfaqet në regjistrin e biznesit 12 vitet e fundit, ndërsa nuk dihet baza mbi të cilën e ngriti kapitalin.