MENU
klinika

"Njerëzit nisën të bërtisnin!"

Tragjedia e Gërdecit, zbardhet dëshmia e ish-rojës: Nga saldimi mori flakë baruti

18.10.2023 - 17:10

Ka nisur sot seanca e pyetjes së dëshmitarëve të thirrur nga SPAK për tragjedinë e Gërdecit, mes të cilëve do të jetë edhe Shkëlzen Berisha.

Një nga dëshmitarët e pyetur sot ka qenë edhe Fejzi Shehu, i cili asokohe ka punuar si roje e fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec.

Gjatë dëshmisë së tij Shehu ka deklaruar se ka parë momentin kur gjatë procesit të saldimit të një karroce, mori flakë baruti brenda fabrikës së demontimit, që më pas solli shpërthimin.

Ai tha se njerëzit nisën të bërtisnin pas përhapjes së flakëve, ndërsa shtoi se vetë ai u largua me vrap.

“Unë isha roje tek porta kryesore e fabrikës së demontimit aty futeshin punëtorët dhe dilnin kamionët. Ditën e shpërthimit isha në punë, tek porta kryesore dhe më erdhi një familjar i një personi që kërkonte t’i jepte ushqimin.

Qesen e mora unë dhe jam futur brenda deri tek porta e dytë, aty pashë flakën nga një karrocë dhe njerëzit filluan të bërtisnin, për shkak të barutit flaka u përhap me shpejtësi. Nuk munda ta fusja ushqimin brenda dhe jam larguar me vrap.

Më pas aty kam mësuar se bëheshin saldimet e karrocave të dorës. Kam parë Qemal Deliun që atë ditë ka dalë dy tre herë jashtë me lejen e përgjegjësit. Emrin e tij e kam mësuar më pas, sepse nuk e dija si emër”, tha ai.