MENU
klinika

Parashikimi

“Vera nuk ikën as në Tetor”, meteorologia tregon si do jetë moti në ditët në vijim

11.10.2023 - 09:43

Muaji tetor, ende nuk po sjell aromën e vjeshtës.

Temperaturat e larta të verës, vijojnë të jenë prezente, sidomos gjatë ditë, arrijnë deri në 32 gradë Celsius. Ndryshimet klimatike, kanë sjellë një miksim të stinëve.

“10 ditëshi i parë është mbyllur me temperatura të larta, madje 31 dhe 32 gradë janë 8 gradë më të larta, nga çfarë duhet të jenë temperatura shumë të larta, sidomos nëse flasim për vlerat, maksimal. Mesdita është tipikë si një mesditë qershori. Pra temperaturat 31 dhe 32 janë tipike qershori edhe pse jemi ne tetor”,- Ladja Porja, meterologe.

Vera që lamë pas, ishte ndër më të nxehtat, jo vetëm për Shqipërinë. Meterologët thonë se tashmë kushtet atmosferike, kanë ndryshuar, duke qenë më në favor të temperaturave të larta. Xhupat do të vijnë duke u paksuar në dollapët e qytetarëve.

“Sa i përket dimrit, deri në fund të vitit 2023, përfshirë dhe nëntorin dhe dhjetorin, ky vit do të mbyllet si një i nxehtë dhe më pas na pret serish që të kemi edhe ne vitin 2024 temperatura të larta. pra edhe dimri do të ketë më shumë ditë me diell dhe me temperatura mbi mesataren dhe më pak, ditë tipike të dimrit. Nga një dimër tre muaj do jetë i cunguar në vetëm 3-4 javë”,-tha Ladja Porja, meterologe për euronews.

As reshjet nuk kanë qenë në favor, pasi i gjithë sezoni i verës, por dhe shtatori dhe muaji tetor, kanë qenë muaj të thatë, duke ndikuar në mos plotësimin e kuotave mujore.

“Kemi mbyllur një shtator thuajse të thatë, tetori po ashtu të paktën deri në datën 16, pa reshje. presim pas datës 16 të kemi 3-4 ditë reshje dhe të shpresojmë që të kemi plotësim të kuotave mujore, që janë rreth 220 mml, ndërkohë nuk kemi patur fare reshje gjatë tetorit”,-tha Ladja Porja, meterologe.

Sipas ekspertëve rritja e temperaturave rrit ndjeshëm probabilitetin e ngjarjeve ekstreme, të cilat çdo vit po bëhen dhe më intensive.