MENU
klinika

Analiza

Vetëm SHBA mund të jetë ndërmjetëse në konfliktin e Gazës

22.10.2023 - 16:10

Kriza në Lindjen e Mesme ka zbuluar një realitet të rëndësishëm për botën. Megjithëse ndikimi amerikan mund të mos jetë ai që ishte dikur, është sërish e vërtetë se asnjë vend tjetër nuk mund të zëvendësojë Shtetet e Bashkuara, si lojtar kryesor në skenën globale.

Por për të ruajtur këtë ndikim, SHBA do të duhet të veprojë me mençuri dhe të shkojë më tej se sa ka bërë deri tani. Mendoni se sa të munguara kanë qenë Rusia dhe Kina në këtë krizë. Gjatë viteve të fundit, të dyja fuqitë janë përpjekur në mënyra të ndryshme të injektohen në rajon. Rusia ndërtoi lidhjet e veta me Izraelin.

Kina ndihmoi në lehtësimin e rivendosjes së lidhjeve diplomatike midis Arabisë Saudite dhe Iranit. E megjithatë, që kur shpërtheu kriza e Gazës, asnjëra nuk ka qenë në gjendje të luajë ndonjë rol në zbutjen e tensioneve, apo në ofrimin e zgjidhjeve.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë qenë të angazhuara aktivisht që nga fillimi. Urdhëri i parë i Presidentit Biden ishte të dënonte sulmet terroriste të Hamasit dhe të qëndronte në solidaritet me Izraelin.

Duke e bërë këtë me elokuencë, ai tani është zhvendosur në pozicionin e dhënies së këshillave për maturi. Ai u bëri thirrje izraelitëve që të mos konsumohen nga zemërimi dhe u kujtoi atyre reagimin e Shteteve të Bashkuara ndaj 11 shtatorit, duke pranuar se Uashingtoni, i konsumuar nga frika dhe zemërimi, bëri gabime.

Shpresohet se Izraeli po dëgjon. Presidenti ka të drejtë: Shtetet e Bashkuara morën një sërë vendimesh katastrofike pas 11 shtatorit, për të cilat ende po paguajnë një çmim, raporton abcnews.al.

SHBA nxitoi të ndërtonte një burokraci të re për “sigurinë e atdheut” që përfshin qindra-mijëra njerëz dhe dy duzina organizatash. Zgjeroi dramatikisht pushtetin ekzekutiv, duke shkelur të drejtat individuale, duke zgjeruar sekretin qeveritar dhe duke sanksionuar atë që shumë do ta përshkruanin si torturë.

Strategjia ushtarake e Uashingtonit ishte gjithashtu e metë, që në krye të herës. Në vend që të fokusohej te njerëzit që planifikuan 11 shtatorin, SHBA miratoi një qasje të gjerë dhe ambicioze që, sipas fjalëve të Presidentit George Ë. Bush, nuk bënte “asnjë dallim” midis terroristëve dhe “atyre që i strehojnë ata”.

Kështu, vendi shkoi në luftë jo vetëm kundër al-Kaedës, por edhe kundër talebanëve, duke u përpjekur të garantonte që këta të fundit të mos sundonin më kurrë Afganistanin, një objektiv që përfshinte një luftë 20-vjeçare, të cilën Shtetet e Bashkuara e humbën.

Dhe, sigurisht, shkoi më pas në luftë kundër Sadam Huseinit në Irak. Përgjigja e Uashingtonit ndaj 11 shtatorit, luftërat, burokracia etj ka pasur një çmim, sipas një vlerësimi, prej 8 trilion dollarësh.

Mësimet për Izraelin janë të qarta. Një pushtim tokësor në Gaza është një përgjigje emocionale ndaj sulmit terrorist të Hamasit. Izraeli po përgjigjet me diçka të madhe dhe të guximshme, duke demonstruar se mund të shkojë përtej një qasjeje të vogël dhe të bëjë diçka dramatike.

Por a është zgjuarsi kjo?

Një kurs i tillë do ta zhytë ushtrinë izraelite në rrugicat dhe tunelet e Gazës. Me siguri do të prodhojë edhe më shumë tragjedi humanitare në Gaza, duke zemëruar më tej vendet arabe dhe duke e kthyer opinionin botëror kundër Izraelit. Edhe nëse pas gjithë kësaj fiton, çfarë do të ketë fituar?

Kush do ta qeverisë Gazën pas Hamasit?

Kush do të jetë i gatshëm të pushtojë Rripin dhe të luftojë atë që sigurisht do të jetë një kryengritje kundër autoritetit të tij?

Asnjë vend arab apo europian nuk do ta merrte përsipër, kështu që do t’i bjerë Izraelit.

Kishte një arsye pse një nga ushtarët më të dekoruar të Izraelit dhe figurat më të djathta politike, Ariel Sharon, zgjodhi të largohej nga Gaza. Qëllimi i terrorizmit është të provokojë një reagim të tepruar. Përgjigja më e mirë ndaj tij është të mos humbasësh mendjen.

Në të kaluarën, Izraeli u është përgjigjur shpesh sulmeve terroriste duke marrë kohën e vet, duke gjurmuar ata që në të vërtetë planifikonin dhe ekzekutonin misionet, dhe më pas duke i vrarë.

Kjo ishte përgjigja e tij ndaj masakrës së Lojërave Olimpike të Mynihut të vitit 1972, ekzekutuar nga grupi palestinez “Shtatori i Zi”. Nëse Uashingtoni do t’i ishte afruar Al-Kaedës me një qasje të ngjashme strategjike, Shtetet e Bashkuara do të ishin në një pozitë shumë më të mirë sot, raporton abcnews.al.

Përveç këshillës së tij për maturi, Biden duhet të bëjë presion ndaj qeverisë izraelite që të sigurojë një rrugë politike për aspiratat palestineze.

Për disa dekada, Shtetet e Bashkuara nën administratën republikane dhe demokratike shiheshin si një ndërmjetës efektiv midis dy palëve. Zyrtarët palestinezë u besuan diplomatëve amerikanë si Martin Indyk, Dennis Ross dhe Edëard Djerejian, sepse ata punuan pa u lodhur për të gjetur një rrugë të negociuar për një shtet palestinez. Shtetet e Bashkuara i bënë presion që të hiqte dorë nga terrorizmi dhe të njihte Izraelin, por njëkohësishtt u bëri presion izraelitëve që të ndalonin ndërtimin e vendbanimeve.

Të gjitha këto përpjekje janë dobësuar pasi udhëheqja palestineze u tregua e pamend dhe Izraeli është qeverisur nga një sërë qeverish të krahut të djathtë që nuk besojnë në një zgjidhje me dy shtete, kanë shtuar vendbanimet dhe kanë mbyllur një sy ndaj gjendjes së palestinezëve.

Këto janë kushte ideale për Hamasin, i cili argumenton se nuk ka zgjidhje jo të dhunshme, dhe se aktet e terrorizmit janë opsioni i vetëm.

Është një përpjekje madhore për diplomacinë amerikane. Por alternativa është që kjo krizë të acarohet, dhe tani ajo mund të rezultojë kollaj në një dhunë, që do të jetë edhe më e keqe se sa ajo që po shohim tani.

Burimi: Washington Post