Në Shqipëri, ish drejtoresha e hipotekës së Durrësit, Rajmonda Dashi u vendos në “arrest shtëpie”, ndërsa biznesmeni Ardian Malasi u arrestua, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, pasi rezultojnë të jenë bashkëpunëtorë me dy vëllezërit shqiptarë Besjan dhe Leonard Rama të dënuar nga autoritetet belge të drejtësisë për trafikim të lëndëve narkotike.
Ishin aktet e dërguara nga Belgjika të cilat nxitën hetimet në Shqipëri, nga ana e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe policisë.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, të dy vëllezërit, të cilët janë shpallur në kërkim, të ndihmuar nga Dashi dhe Malasi, “kanë kryer veprime sistematike, të vazhdueshme të kundërligjshme, me qëllim pastrimin e të ardhurave që kanë përfituar nga kryerja e aktivitetit kriminal, nëpërmjet investimit në pasuri të paluajtshme në Shqipëri”.
Prokuroria e posaçme shpjegon se veprimet e tyre kishin për qëllim “transferimin e pasurisë me qëllim fshehjen e orgjinës së paligjshme, fshehjen ose mbulimin e pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale, apo dhe fitimin e pronësisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”.
Një rol të rëndësishëm duket të ketë patur Dashi, për shkak dhe të funksioneve në zyrat e rregjistrimit të pasurive.
Nën sekuestro janë vënë pasuri të shumta që i përkisnin këtij grupi, mes të cilave 12 apartamente në qytetin e Fierit, 4 apartamente dhe 3 garazhe në qytetin e Tiranës, si dhe 27 llogari bankare, dy automjete dhe një shoqëri tregëtare.
Prokuroria e Posaçme bën të ditur se hetimet po vijojnë për të zbuluar dhe pasuri apo dhe persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë aktivitet.