Familja Reçi, të cilët u morën në pyetje nga policia për vrasjen e Martin Bardhit në Rrëshen, thyejnë heshtjen për krimin e rëndë. Martin Reçi, vëllai i Kastriot dhe Gasper Reçit, mohon që fisi i tij të ketë lidhje me ngjarjen. Konfliktin mes Saimir Reçit dhe familjes Bardhi në muajin Mars të këtij viti, ai ia lë në dorë drejtësisë.
Pas vrasjes së Bardhit, në familjen Reçi, policia kreu dy herë kontrolle, por nuk konstatoi sende të kundraligjshme. Teksa shpreh rezerva për veprimet e policisë, Martin Reçi thotë se kamerat e sigurisë kanë qenë të vendosura për kontrollin e biznesit të tij dhe për asnjë qëllim tjetër.
Martin Bardhi u ekzekutua me armë zjarri paraditen e 26 Shtatorit teksa po pinte kafe në lokalin në pronësi të tij në Rrëshen.
Nga breshëria e plumbave mbetën të plagosur dhe tre persona të tjerë, të cilët ishin nën shoqërinë e viktimës, ndërsa autorët e ngjarjes ishin dy persona të maskuar të cilët u larguan me një fuoristradë e cila u gjet e djegur në fshatin Gëziq të Mirditës.