Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, ka folur sot për vizitën e “pesëshes së madhe” që do ta vizitojë Beogradin më 21 tetor, ku ka thënë se pret që ky delegacion emisarësh perëndimorë të vijnë në Beograd me “gjëra të reja” rreth Kosovës.
Presidenti i Serbisë bëri të ditur se të njëjtën ditë, në mbrëmje do të shkojë në Nju Jork, ku më 23 tetor do të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën. Vuçiç ka paralajmëruar se mund të ketë një “goditje për Serbinë” sa i përket çështjes së sanksioneve ndaj Rusisë.
Më 21 tetor, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Italisë, Francës do të shoqërojnë përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, në takimet në Kosovë dhe Serbi. Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, qëllimi i vizitës është të shtyhet përpara zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit dhe Aneksit për zbatimin e saj.
Vizita në Kosovë dhe Serbi e grupit që njihet si Pesëshja e madhe është e para që nga sulmi i 24 shtatorit kundër policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Tashmë BE-ja dhe shtetet anëtare po presin rezultatet e hetimeve për të parë se kush e kishte planifikuar sulmin, kush i kishte ndihmuar sulmuesit dhe më pas do të vendosin për masa eventuale.
Deri më tani masa ndëshkuese ka ndaj Kosovës, për shkak të tensioneve të mëhershme në veri të Kosovës, por në BE nuk e kanë përjashtuar mundësinë që të vendosen sanksione ndaj Serbisë.