Në Pekin po mbahet forumi ekonomik dhe politik ndërkombëtar “Brezi dhe Rruga”, një projekt i mbështetur fuqishëm nga Republika Popullore e Kinës. Ky takim është dëshmi e forcimit të ndarjes së madhe botërore: në njërën anë janë Kina, Rusia dhe Irani, dhe nga ana tjetër SHBA-të dhe aleatët e saj në NATO. Dhe ndërsa vendet e Bashkimit Evropian nuk marrin pjesë në të, me përjashtim të përjashtimeve të rralla si kryeministri hungarez Viktor Orban, nuk mund të mungonte presidenti rus Vladimir Putin si dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç, raporton “Slobodna Dalmacija”.
“E pashë presidentin Putin, nuk patëm një takim dypalësh, biseduam shkurt, ai pati një takim të rëndësishëm dhe të gjatë me Xi Jinping”, tha Vuçiç, që shtoi se presidenti rus pati edhe një bisedë me Orbanin. Kjo është hera e parë që ata takohen në të njëjtin vend që kur Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në mars të vitit 2022. Presidenti i Serbisë tha se ka folur edhe me Orbanin për seancën e ardhshme të Këshillit Evropian dhe “lojërat që po luhen atje”, në vijim të deklaratës për çështjen e certifikatave për mollët serbe dhe eksportin e mjedrës dhe frutave, shkruan “Slobodna Dalmacija”.
Vuçiç po ashtu ka thënë se ka pasur një bisedë jashtëzakonisht miqësore me presidentin kinez për të gjitha temat e rëndësishme. Siç tha ai, është biseduar për Kosovën, respektimin e normave juridike ndërkombëtare dhe atë që po kalon Serbia, si dhe aplikimin e standardeve të dyfishta, mosrespektimin e Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244.
Vuçiç, po ashtu, ka deklaruar se vizita në Pekin është shfrytëzuar edhe për “të bërë miq në Afrikë dhe Azi”. Ai është duke udhëhequr delegacionin serb në Kinë dhe shoqërohet nga ministra të shumtë të qeverisë. Kujtojmë që, Serbia dhe Kina nënshkruan një sërë marrëveshjesh më 17 tetor.