Të tjera dëshmi jepen në dosjen e SPAK për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, për të cilën GJKKO caktoi masën ‘detyrim paraqitje’ për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për BalkanWeb dosjen e Prokurorisë së Posaçme, ku renditen disa nga dyshimet se si Berisha ka ndikuar në krijimin e kushteve për përfitimet e dhëndrit e tij në këtë pronë. Në dosjen e SPAK jepet dëshmia e Justina Boriçit, ish-drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave përgjatë gushtit të 2006-ës deri në qershor të 2007-ës.
Ajo në dëshminë e saj pohon se emërimet i vinin me urdhër të Kryeministrisë dhe drejtpërdrejtë nga zoti Berisha, asokohe kryeministër.
“Në deklarimin e datës 26.09.2023 shtetasja Justina Boriçi, deklaron se “…Unë jam emëruar si drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në muajin gusht 2006 deri më 27.06.2007…. Në muajin gusht të vitit 2006 më ka thirrur kryeministri Sali Berisha, i cili më ka bërë të ditur se isha emëruar si drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Unë kam qenë anëtare e Partisë Demokratike, kam qenë e organizuar, dhe nëpër mbledhje isha njohur edhe me kryeministrin Sali Berisha…. kryeministri e dinte se kush isha. Sqaroj se në korrik 2006 unë u emërova nga Ministria e Bujqësisë, drejtoreshë e Qendrës së Transformimit (QTTB) ku ishte bashkuar Instituti, Instituti i Zooteknisë dhe Instituti i Foragjerëve,…. Pas kësaj, pas një muaji, pra në gusht 2006, më kërkoi Sali Berisha. Më tha Ministri i Bujqësisë Emin Gjana dhe më bëri me dije se më kërkonte kryeministri. Mua më erdhi pak e habitshme. E kam takuar kryeministrin Sali Berisha, në zyrën e tij në Kryeministri dhe ai më bëri me dije se më kishte emëruar si drejtoreshë e Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave…”. Shtetësja Justina Boriçi emëron më pas drejtoreshën e Zyrës Rajonale të AKKP, shtetasen Dhurata Hoxha (Çela), me urdhrin nr. 203 datë 09.10.2006. Në deklarimin e datës 26.09.2023, shtetasja Justina Boriçi deklaron se: “…Unë nuk e njihja Dhurata Hoxhën dhe emërimi i saj mesa më kujtohet ka ardhur me rekomandim por nuk më kujtohet se kush saktësisht e ka rekomanduar. Përgjithësisht rekomandimet vinin nga lart që mund të ishte zëvendës kryeministri, por në rastin konkret nuk di të jap një përgjigje të saktë…”. Gjithashtu nga shtetasja Justina Boriçi emërohen edhe punonjës të tjerë që kanë kryer veprime në përgatitjen dhe kthimin e pronës familjes Begeja dhe familjeve të tjera. Kështu rezulton se shtetasi Altin Ceni ka filluar punë sipas urdhrit nr. 246 datë 01.11.2006 “Për emërim në detyrë” të drejtorit të përgjithshëm Justina Boriçi, në detyrën e specialistit në Sektorin Juridik. Me urdhrin nr. 248 date 01.11.2006 “Për emërim në detyrë” të drejtorit të përgjithshëm Justina Boriçi, rezulton se është emëruar në detyrën përgjegjëse në sektorin juridik shtetasja Tetis Lubonja.”, thuhet mes të tjerash në dosjen e SPAK.