MENU
klinika

Komisioni Evropian ul rritjen e GDP-së

“2023, viti më sfidues, ekonomia në ‘vendnumëro'”

16.11.2023 - 14:09

Teksa vitit më sfidues po i vjen fundi, ekonomia evropiane e ka humbur vrullin e saj. Parashikimi për vjeshtën i Komisionit Evropian uli rritjen e GDP-së krahasuar me parashikimet e bëra gjatë verës.

Tani, Brukseli vlerëson se rritja e GDP-së këtë vit do të jetë në nivelin 0.6% si në tërë BE-në ashtu dhe në zonën euro, 0.2% më pak se parashikimet.

Arsyet janë kostoja e lartë e jetesës, rënia e kërkesës së jashtme dhe kufizimi monetar. Por komisioneri për Ekonominë, Paolo Gentiloni shpreson për një të ardhme më të mirë, sidomos për familjarët.

“Në dy vitet e ardhshme, konsumi privat do të udhëheqë rritjen, ndërsa rritja e pagave do të ulë inflacionin, duke ngritur fuqinë blerëse të konsumatorëve. Forcimi i tregut të punës ka gjasa të kontribuojë gjithashtu. Rikuperimi i konsumit privat mund të jetë edhe më i fortë në mungesë të kursimeve të larta, që pritet të zgjasë,” – tha Paolo Gentiloni, komisioner i BE-së për Ekonominë.

Parashikimi përmban megjithatë lajme të mira në frontin e inflacionit. Çmimet për konsum vijuan trendin e rënies. Në tetor ato ranë në 2.9 për qind në zonën euro, niveli më i ulët i dy viteve të fundit.

Një vit më parë, inflacioni regjistroi pikun me mbi 10 për qind. Ndërsa rënia e tij erdhi pasojë e rënies së çmimeve të energjisë, tani ajo vjen si pasojë e rënies së çmimeve në të gjitha kategoritë e konsumit. Por cilat janë pengesat kryesore për rritjen gjatë 2024-s?

“Ato vende që janë shumë të varura energjetikisht, ose kanë qenë të varura nga Rusia dhe tani kanë një ekonomi që është energjetikisht më intensive, janë ato që do të bartin kostot më të mëdha. Dhe këtu e kam fjalën për Gjermaninë. Gjermania është motori i BE-së dhe nëse ekonomia e saj nuk rritet, atëherë pjesa tjetër e Evropës do të ndjejë impaktin e saj,” – u shpreh ekspertja e ekonomisë, Maria Demertzis.

Parashikimi ekonomik i vjeshtës për herë të parë përfshiu edhe Bosnje e Hercegovinën, Moldavinë dhe Ukrainën, që morën statusin e kandidati për në BE vitin e kaluar. Të tre vendet po shfaqin shifra inkurajuese, sidomos Ukraina, ekonomia e të cilës ka treguar qëndrueshmëri gjatë 2023-shit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Prof. Dr. Adrian Civici/ A del jashtë kontrollit borxhi publik?

A është zgjidhje marrja e një borxhi për të shlyer borxhet?

Prof. Dr. Adrian Civici/ Profesionet e reja post COVID

“Lufta” e profesioneve në periudhën post COVID-19