MENU
klinika

Parashikimi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë

527 mijë lekë për person, rritet borxhi për frymë në 2024

11.11.2023 - 10:57

Çdo bebe që do të lindë gjatë vitit të ardhshëm nga njëra anë do të marrë nga qeveria 40 mijë lekë, por nga tjetra do të ngarkohet me një borxh prej gati 527 mijë lekësh. E njëjta vlen edhe për një të moshuar, i cili merr mesatarisht 17 mijë e 300 lekë në pagesën mujore të pensionit e që deri në fund të jetës do të mbajë mbi supe barrën e borxheve të marra nga qeveria.

Sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në raport me këtë vit, gjatë 2024-s borxhi për frymë do të zgjerohet me 137 lekë.  

“Aktualisht e trashëgojmë një histori të dhimbshme që më para në vitet e vrullit të borxhmarrjes 2017, 2018 2020 dhe këto ishin para që hynë në ekonomi dhe nuk kishin impakt. Ne jemi duke paguar ato kostot e tyre”, thotë Pano Soko.

Pas tërmetit mund të themi që u justifikua pak për shkak të rindërtimit.

“Shifra që ju përmendet shifra prej 530 mijë lekësh duhet parë nëse është përdorur në projekte që prodhojnë paratë e veta apo i kemi bërë rrush e kumbulla në projekte që janë vjedhur, apo projekte jo vizibël”, shtoi Soko.

Borxhi për frymë i cili llogaritet nga raporti i stokut të borxhit publik me numrin e popullsisë, në dekadën e fundit është dyfishuar.

Për vitin 2024, konkretisht stoku i borxhit publik pritet të arrijë në 1 trilion e 454 miliardë e 516 milionë lekë ose thënë ndryshe 377 milionë lekë më shumë se në 2023. Teksa qëllimi i huamarrjes është për më shumë të mira dhe investime për qytetarët, sipas ekspertëve borxhi publik shqiptar është shpërdoruar.

“Ekonomia buxhetore e jona po vuan ngaqë ne kemi marrë borxh joeficent në 2017, 18, 19 të cilët ne sot jemi të detyruar ta vendosim në librat e shtetit. Dhe po të shohim ripagesat nga 400 milionë dollarë që ne kemi pasur, sot që flasim janë 800 milionë dollarë që në fillim të vitit që shkojnë për këtë nga xhepat e shqiptarëve”, tregon eksperti.

Pas 600 milionë eurove në qershor të këtij viti, Shqipëria mund të marrë një eurobond të ri vitin e ardhshëm. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, shpjegoi në Komisionin për Ekonominë dhe Financat se një pjesë e parave do të shkojnë për të paguar interesat e huave të marra më herë, ndërsa pjesa tjetër për të mbushur deficitin buxhetor.