Nga Alejandro Esteso Pérez “European Western Balkans”.
Protestat në rrugë në Serbi nën sloganin “Srbija protiv nasilja” (Serbia kundër dhunës), kanë hyrë në muajin e tyre të gjashtë në mesin e një klime pasigurie. Demonstrata e parë u zhvillua më 8 maj, 5 ditë pas një masakre në një shkollë fillore në Beograd, e cila i mori jetën 10 njerëzve dhe plagosi 6 të tjerë.
Ajo u pasua vetëm një ditë më vonë nga një masakër tjetër në fshatrat Dubona dhe Malo Orašje, me 9 vdekur dhe mbi 10 të plagosur. Masat e shpallura nga presidenti serb Aleksandar Vucic pas atyre ngjarjeve, ishin larg përmbushjes së kërkesave të koordinuara nga disa parti opozitare dhe organizata joqeveritare.
Për shkak të mungesës së përgjegjshmërisë së autoriteteve, ojq-të kanë dalë në rrugë me thirrje kundër dhunës. Fillimisht të shpallura si jopartiake, pa simbole dhe fjalime partiake, tubimet e Beogradit i lanë gradualisht vendin rritjes së roleve të liderëve të opozitës, dhe dalëngadalë po përgatiten për sezonit e protestave në dimër.
Ndërsa 2023-shi po afrohet drejt fundit, lëvizja ka organizuar me sukses 27 protesta vetëm në Beograd. Por që nga fillimet e saj, lëvizja është shtrirë në mbi 40 komuna dhe qytete në Serbi. Vetëm shumë pak nga kërkesat fillestare të lëvizjes janë përmbushur, ndërsa shumica janë shpërfillur nga qeveria.
Këtu përfshihet kërkesa për zëvendësimin e bordit drejtues të Radio Televizionit të Serbisë (RTS), heqjen e licencave të transmetimit për televizionet që promovojnë dhunën, dhe shkarkimin e Ministrit të Brendshëm dhe i kreut të Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë të Serbisë.
Nuk ka një model të vetëm suksesi për lëvizjet e protestës. Por si Serbia ashtu edhe Ballkani Perëndimor, janë të aftë për episodet e aktivizmit social në rrugë, nga të cilat mund të nxirren shumë mësime. Në Ballkanin Perëndimor, lëvizjet sociale janë rritur dhe zbehur gjatë 2 dekadave të fundit, por pak prej tyre kanë lënë gjurmë të qëndrueshme.
Ndër rastet e fundit, Revolucioni Shumëngjyrësh i Maqedonisë së Veriut në vitin 2016, është një shembull tipik i një lëvizjeje të suksesshme shoqërore, e cila ka lënë një gjurmë të konsiderueshme në politikën e rajonit. I zhvilluar në kontekstin e një krize të thellë politike dhe sociale të shkaktuar nga qeverisja autokratike dhe e korruptuar e ish-kryeministrit Nikola Gruevski dhe qeverisë së tij, Revolucioni Shumëngjyrësh u vendos në qendër të vëmendjes.
Ai prezantoi një skenar të ri veprimi, që tërhoqi vëmendjen e segmenteve të brendshme të shoqërisë dhe natyrisht edhe atë të faktorit ndërkombëtar. Revolucioni Shumëngjyrësh, përfshinte demonstrata në rrugë, që u zhvilluan thuajse çdo ditë në të gjithë Maqedoninë e Veriut për 3 muaj me radhë.
Ato u përforcuara nga aktivizmi i pandalshëm në internet. Lëvizja mburrej për karakterin e konsiderueshëm ndër-sektorial dhe ndëretnik, duke arritur të bëjë bashkë maqedonasit etnikë dhe shqiptarët etnikë të të gjitha moshave. Kjo krijoi kohezion midis protestuesve që ngriheshin për çështje të ndryshme, nga përmirësimi i situatës ekonomike deri tek mbrojtja e të drejtave të komunitetit LGBTIQ.
Por kauza më gjithëpërfshirëse, ishte perceptimi i përgjithshëm i padrejtësisë dhe mosndëshkimit politik që rrethonte Gruevskin dhe qeverinë e tij të udhëhequr nga VMRO-DPMNE. Nëpërmjet kërkesave të saj, lëvizja synonte të rrëzonte qeverinë, dhe të nxirrte para drejtësisë zyrtarët e përfshirë në skandalin e përgjimeve të vitit 2015.
Ky synim i përbashkët ndihmoi shumë në krijimin e një kohezioni të madh midis demonstruesve. Shtatë vjet pasi atyre protestave, Maqedonia e Veriut po vuan nga një krizë politike e një lloji tjetër, dhe fryma e Revolucionit Shumëngjyrësh është zbehur plotësisht. Megjithatë, leksionet mbi atë që ndodhi para gjatë dhe pas lëvizjes së vitit 2016, mund të japin një farë ideje për performancën, pamjaftueshmëritë dhe perspektivat e protestave të vazhdueshme në Serbi. Disa tipare e bëjnë përvojën e Revolucionit Shumëngjyrësh të lidhur me demonstratat e sotme të ‘Srbija Protiv Nasilja.
Kjo mund të ndihmojë në një shqyrtim më të mirë të perspektivës së mundshme të lëvizjes. Si Maqedonia e Veriut ashtu edhe Serbia, mburren me një histori të gjatë të aktivizmit social, veçanërisht të spikatur vitet e kaluara kur korrupsioni, mosndëshkimi i elitës dhe kapja e shtetit vepruan si tema të ndërlidhura.
Si protestat e 2016 ashtu edhe ato të vitit 2023, por edhe shumë tubime ndërmjet tyre, janë episode të së njëjtës epokë, kur qytetarët e regjimeve jo-liberale në Ballkanin Perëndimor dalin në rrugë për të kanalizuar ankesat dhe zemërimin e tyre kundër elitës.
Në të dyja rastet, vërshimi social i zhgënjimit dhe zemërimit, u përball me mohim nga elitat e papërgjegjshme, të cilat i hodhën poshtë kërkesat e lëvizjes dhe organizuan kundër-protesta për t’i delegjitimuar ato.
Një element kyç për të dyja lëvizjet, është natyra e saj ndër-sektoriale dhe e decentralizuar: ndërsa të dyja u shfaqën dhe ruajtën mbështetjen e tyre bazë në Shkup dhe Beograd, u përhapën shpejt në të gjithë vendin dhe u bënë një lëvizje gjithëpërfshirëse ndër-urbane me kërkesa që rezonojnë edhe përtej kryeqyteteve përkatëse.
Përveç ngjashmërive, arkitektura politike dhe sociale në Serbinë e vitit 2023 është padyshim e dallueshme nga ajo e Maqedonisë së Veriut. Përkundër politizimit gradual të protestave të vazhdueshme, përkatësisht përmes pjesëmarrjes qendrore të figurave të shquara të opozitës, roli i partive opozitare përballë qeverisë në Beograd është ende i dobët dhe i fragmentuar. Mungesa e unitetit midis këtyre partive, që aktualisht mbajnë 1/3 e vendeve në parlamentin serb, nënkupton se një alternativë politike nuk është e arritshme në një periudhë afatshkurtër, pa bashkimin e të gjitha forcave, dhe për pasojë as mundësitë për ndryshim.
Në Maqedoninë e Veriut, prania që në fillim në protesta e liderit social-demokrat Zoran Zaev i dha mundësi partisë së tij LSDM, të mishëronte të vetmen alternativë ndaj Gruevskit, duke vepruar si agjent i kohezionit edhe mes partive etnike shqiptare dhe madje edhe në mesin e protestuesve që fillimisht ishte dyshues ndaj LSDM.
Po ashtu, mund të thuhet se shteti maqedonas i vitit 2016, nuk ishte i kapur politikisht në të njëjtën masë si Serbia e sotme, dhe atje shoqëria civile kishte ende leva ndikimi për t’i përdorur dhe madje për të arritur përmbushjen e kërkesat të saj.
Në këtë drejtim, përfshirja e BE-së dhe SHBA-së në krizën politike të Maqedonisë së Veriut ishte shumë e rëndësishme në kontekstin e Revolucionit Shumëngjyrësh, pasi ata ushtruan presion për nisjen e negociatave midis qeverisë dhe opozitës, duke i hapur rrugën përfundimisht tranzicionit qeveritar.
Partnerët perëndimorë e panë rënien e Gruevskit si një kosto të përballueshme, ndryshe nga qasja që kanë sot ndaj Vucic. Presidenti serb dhe partia e tij SNS, vazhdojnë t’i gëzohen tolerancës dhe lavdërimeve që u vijnë nga Brukseli dhe Uashingtoni, të cilët synojnë ta mbajnë Beogradin sa më afër, për ta penguar atë të anojë më tej drejt Rusisë.
Kjo është kryesisht një qasje e gabuar. Pas njoftimit të presidentit Vucic se Serbia do të mbajë zgjedhjet e reja parlamentare më 17 dhjetor, krahas zgjedhjeve lokale në mbi 60 qytete dhe komuna, 10 partitë e përfshira në demonstrata konfirmuan se do të dalin me një platformë të përbashkët
Suksesi i lëvizjes opozitare, do të varet shumë nga mënyra se si blloku shumëpartiak, do të adresojë problemet e kohezionit të brendshëm dhe dinamikës së pushtetit, duke shmangur me mjeshtëri sulmet dhe fushatat e shpifjeve të sponsorizuara nga qeveria, dhe duke nxitur angazhimin në krah të tyre të partnerëve perëndimorë.