MENU
klinika

Kreu i OSHEE: Ekzistojnë disa skenarë

A do të ketë rritje çmimi të energjisë?

18.11.2023 - 11:00

Situata financiare e OSHEE është stabël, kështu është shprehur kreu i këtij institucioni Enea Karakaçi në studion e A2 Business. Sipas tij kjo ka ndikuar që të mos aplikohet për rritje çmimi të energjisë.

“Ne kemi njoftuar që nuk do të kemi dhe nuk kemi bërë aplikim për rritje tarife për shkak të performancës së mirë të marrë në vite. Jemi në situatë më të shëndoshë financiare”, tha ai për A2 CNN.

Por rritje në masën 30% të pagave do të ketë për punonjësit e këtij sektori. Sipas Karakaçit, për herë të parë do të përfshihet edhe vjetërsia në punë. Ai u bëri thirrje profesionistëve, që të aplikojnë pranë OSHEE. Karakaçi tha se ulja e humbjeve ka ardhur për shkak të luftës kundër ndërhyrjeve të paligjshme.

“Jemi në nivele shumë të mira arkëtimesh dhe uljesh 18.76 % humbje. Është një nivel rekord. Humbje teknike dhe jo teknike për shkak të rrjetit dhe ndërhyrjeve të çfarëdo lloji. Ka ndikuar lufta pakompromis e kompanisë për të mënjanuar ndërhyrjet e paligjshme në rrjet. Sot jemi në shifrat më të mira në vite”, tha ai.

Por për ekspertin Admir Duleviç, problem janë borxhet e institucioneve, ndërkohë që vihet re një reflektim nga konsumatorët familjarë. Ai sugjeron marrjen e masave ekstreme si për familjarët dhe institucionet që nuk paguajnë. Sipas ekspertit, problem është edhe rrjeti i amortizuar.

“Nuk mund të themi që do ketë ndërprerje ose jo energji. Do ketë remonte apo defekte nuk i shmang dot. Ka përmirësim por është e papranueshme që të kemi rrjetin e shpërndarjes me 28 mijë km me 38 vite jetëgjatësi. Dhe një element tjetër që shkakton defektet në zonat rurale ne kemi transformator 6 mijë dhe janë rreth 11 mijë në të gjithë vendin dhe kanë 35 vite punë pa u ndërruar dhe patjetër që do të japin avari. Është e vërtetë që është ulur borxhi i OSHEE, por qytetarët kanë pamundësi për të paguar faturat. Kemi edhe institucionet ndërmarrjet e ndriçimit rrugor si spitalet ujësjellësit që nuk i paguajnë faturat. Kemi rritje 3.5% të faturave të paguara në krahasim me 2022. Familjarët kanë reflektuar kurse ndërmarrjet jo,. Duhet të ketë masa si për familjarët dhe institucionet”, tha ai.

Situatë pozitive nuk shikon as eksperti Eduart Gjokutaj, sipas të cilit duhet të merren masa për shlyerjen e borxheve, pasi mospastrimi i bilanceve mban peng sektorin energjetik.

“Situatë jo pozitive, 64 mld lekë, që janë të gjithë të ardhurat e kompanisë. Kemi detyrime financiare që i kanë OSHEE ku mbizotërojnë ujësjellësit me 28.6 mld dhe 5.6 mld institucionet e tjera. Ka një total të lartë për të paguar. Kemi një situatë që lidhet me ekspozimin e buxhetit të shtetit. Të shlyhen detyrimet e OSHEE, mospastrimi i bilanceve mban peng sektorin”, tha ai.

Në përgjigje të këtyre deklaratave drejtori Karakaçi theksoi se nuk mund t’ia ndërpresë energjinë ujësjellësit pasi nuk mund të lërë qytetarët pa ujë. Ai tha se ka disa skenarë për borxhet dhe zgjidhjen e tyre.

“Kemi disa skenarë për debitet dhe besoj që do kemi zgjidhje”, tha ai.