Dje, Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje dhe Hercegovinën Christian Schmidt hodhi poshtë akuzat e bëra kundër tij, një ditë më parë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga Kryetari i Presidencës së BiH, Zheljko Komshiç, i cili më pas pretendoi se Schmidt merr vendime, nën ndikimin e Zagrebit. “Unë i marr vendimet e mia. Disa janë të kënaqur, disa jo, por në planin afatgjatë të gjithë duhet t’i pranojnë ato. Detyra ime është të korrigjoj diçka që nuk funksionon,” tha Schmidt. Në Nju Jork, Komshiç sulmoi Schmidt-in për shkak të ndërhyrjes së tij në tetor 2022, me të cilën ai ndryshoi dispozitat e ligjit zgjedhor të BiH, duke garantuar përfaqësimin legjitim të kombeve përbërëse në Dhomën e Popullit të parlamentit të Federatës së BiH. Kryetari i Presidencës së BH-së pohoi se përfaqësuesi i lartë e bëri këtë sepse kryeministri kroat Plenkoviç i kërkoi një gjë të tillë dhe Komshiç bëri akuza të ngjashme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator. Schmidt i është përgjigjur indirekt me një mesazh se po vepron në përputhje me mandatin që ka dhe po përpiqet t’i rregullojë problemet e krijuara nga politikanët vendas në BiH. Në raportin e tij të rregullt gjashtëmujor mbi situatën në vend, Schmidt paralajmëroi Këshillin e Sigurimit të OKB-së për nivelin “të paprecedentë” të sulmeve mbi themelet e Marrëveshjes së Dejtonit dhe ai vuri në dukje udhëheqësin serb të Bosnjës Milorad Dodik si fajtor. Kur u pyet nëse ai synon të zëvendësojë Dodikun nëse vazhdon me politikën e tij secesioniste, Schmidt tha dje se të gjitha kartat dhe opsionet janë në tryezë, por se është një vendim që ai duhet ta mendojë me kujdes.