MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

A rrezikojnë shëndetin produktet e kujdesit personal?

24.11.2023 - 08:12

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: A rrezikojnë shëndetin produktet e kujdesit personal?

Mjeku: Mesatarisht, gratë përdorin rreth 12 lloje të ndryshme produktesh të kujdesit personal në ditë – larës për fytyrën dhe flokët, balsam për flokët, bojë për flokët, parfum, kremra për fytyrën, krem trupi, manikyr, make-up etj.

Por, po t’i hidhni një sy etiketës së përbërësve, do të shikoni një kokteil përbërësish kimikë.

Sigurisht, mund të mendoni se të gjithë këta ingredient janë testuar për sigurinë e tyre në përdorimin afatgjatë, por në fakt, nuk është gjithmonë kështu.

Kryesisht produktet testohen për të siguruar që nuk shkaktojnë probleme afatshkurtra, si psh. irritim të lëkurës. Por ato shpesh nuk testohen për sigurinë në përdorim afatgjatë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, FDA ndërhyn për analizë të përbërësve vetëm nëse përdoruesit raportojnë për efekte të mundshme në shëndetin e tyre, përndryshe ato tregtohen vetëm mbi bazën e studimeve të kompanive prodhuese.

Si të reduktojmë ekspozimin ndaj përbërësve kimikë?

Kërkoni informacion mbi produktin qe përdorni. Kur përzgjidhni një produkt, lexoni gjithmonë etiketën e përbërësve. Organizata jo fitimprurëse si Environmental Working Group kanë analizuar një sërë produktesh të përdorura gjerësisht dhe raportojnë mbi nivelin e sigurisë së tyre. Kjo organizatë bën edhe një renditje në një shkallë nga 1 deri në 10 për të treguar nivelin e sigurisë se produkteve.

Gjeni alternativa më të sigurta. Nëse produkti që jeni duke përdorur përmban përbërës kimikë të dëmshëm, zgjidhni një opsion më të sigurt. Një tjetër organizatë jo fitimprurëse Silent Spring Institute ofron një aplikacion të quajtur Detox Me, të cilin mund ta përdorni në dyqan për të skanuar barkodin e produktit dhe nëse mund të zëvendësohet me një opsion më të sigurt. Përdorimi i këtij aplikacioni në Shqipëri vështirësohet pasi aplikacioni nuk njeh një pjesë të mirë të barkodeve të skanuara. Megjithatë, ai përmban shumë informacione dhe këshilla të vlefshme mbi shmangien e toksinave të dëmshme.

Përdorni produkte natyrale. Shumë trajtime bukurie mund të përgatiten edhe në kuzhinën tuaj. Mund të kërkoni online për receta të ndryshme për trajtimin e lëkurës dhe flokëve. Por duhet të bëni kujdes, pasi edhe disa produkte natyrale mund të jene të rrezikshme për shëndetin. Për shembull, vajrat esencialë rekomandohen në vend të parfumeve, por disa prej tyre, si psh. Levanderi dhe tea tree oil kanë veti estrogjenike çka mund të përbëj një rrezik për shëndetin.

Ndryshoni standardin e bukurisë.

Nuk është e lehtë t`i lësh flokët të zbardhen plotësisht, apo të dashurosh rrudhat në fytyrë, por është një përpjekje që gratë duhet ta bëjnë. Të jesh e shëndetshme do të thotë të jesh e bukur dhe është pikërisht ky standard i bukurisë që gratë duhet të kërkojnë.

Duhet t`ju mësojnë fëmijëve tanë dhe gjeneratave të reja se duhet të pranojnë dhe të shijojnë të gjitha fazat e jetës pa kërkuar forcërisht të kthejnë kohën mbrapa.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN