Pas një aksioni në policisë së Kosovës në veri, kanë rënë në pranga nëntë zyrtarë, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre dhe ryshfet.
Të arrestuarit janë 8 doganierë dhe një polic kufitar.
Në një reagim, Prokuroria Speciale njofton se aksioni është zhvilluar pas një hetimi të gjatë. Ndërsa policia thotë se janë kontrolluar 11 lokacione të ndryshme në veri.
“Dyshimet janë bazuar në një hetim të gjatë të udhëhequr nga Prokuroria Speciale dhe të zbatuar nga Dogana e Kosovës dhe Inspektorati Policor, pasi që nën hetime ka qenë i përfshirë edhe një zyrtar policor. Gjatë këtij aksioni janë grumbulluar prova që mbështesin dyshimin se këta nëntë (9) zyrtarë, tetë nga të cilët janë zyrtar të Doganës dhe një zyrtar policor nga Policia kufitare, kanë qenë të përfshirë në veprat për të cilat dyshohen”, thuhet në njoftim.
Këtë aksion të përbashkët të Inspektoratit të Policisë së Kosovës dhe Doganës së Kosovës të shtunën nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale që ka rezultuar me të paktën 9 persona, zyrtarë publikë të arrestuar e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavilevci.