Aktivisti i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj është shprehur me plot skepticizëm për marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë që parashikon strehimin e emigrantëve.
Lapaj thekson se kryeministri Rama do duhet të kishte pyetur qytetarët shqiptarë fillimisht, pasi dhënia e ekstraterritorialitetit, thotë ai, duhet të bëhet përmes ligjit dhe jo me vullnetin e kryeministrit.
Sipas aktivistit, është e rëndësishme që për raste të këtilla, në vend të miratohet ligji i referendumeve, pasi ka nevojë të merret mendimi i qytetarëve.
“Kush është Rama? Pronar i Shqipërisë? Ai është zgjedhur dhe ka një mandat për të qeverisur shqiptarët. Kryeministri duhet të veprojë brenda kornizës së kushtetutës. Ne jemi popull emigrantësh.
Le të çojmë në Lampedusa mjekë, punonjës socialë, psikologë, unë jam pro ndihmës, por ne nuk mund të krijojmë një burg. Ky që po krijohet aty është burg me dy nivele sigurie. Ka një rrethim nga italianët dhe një rrethim nga shqiptarët. Për mua bie në kundërshtim me shumë parime të Konventës së Vjenës.
Sovraniteti në Shqipëri i përket popullit sipas Kushtetutës sonë. Dhënia e ekstraterritorialitetit për një shtet tjetër është bërë me vullnetin e Ramës, jo me ligj si duhet. Ndaj është e rëndësishme të miratohet ligji për referendumet në vend. Ka nevojë për një ligj për raste të tilla, të merret mendimi i qytetarëve.
Kemi një republikë që i bien brekët në çdo hall që i vjen te dera. Ka një republikë fakirë që shtrin dorën gjithmonë për ndihmë. Jemi qeverisur aq keq, sa kur na vjen vdekja te dera shtrijmë dorën”, u shpreh Lapaj në ‘Open’.