Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës. Gjatë fjalimit të tij ai ka komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë dhe marrëdhënien me Serbinë, duke e cilësuar ‘jo të mirë’.
Ai gjithashtu shtoi se Vuçiç refuzoi propozimin e BE-së, teksa theksoi rëndësinë e presionit ndaj Beogradit për nënshkrimin e marrëveshjes.
“Në Bruksel ne kemi arritur marrëveshjen, ne kemi shtuar aneksin e zbatimit në Ohër, por atëherë Serbia refuzoi të nënshkruajë, dhe kemi pasur sulme kundër ushtarëve të KFOR-it, pastaj rrëmbimin e policëve të Kosovës, dhe sulmin më pas ku u vra rreshteri ynë. Eskalimi ka ndodhur përkundër marrëveshjes, e cila nuk ishte nënshkruar. Serbia është fqinji ynë më i madh, kufiri është rreth 300 kilometër, kjo përben rrezik për sigurinë, duhet më shumë presion ndaj Beogradit për marrëveshje”, tha Kurti.
Kurti tha se nënshkrimi i njohjes de-facto është hapi parë dhe më i rëndësishëm. Në fjalimin e tij, kryeministri Kurti gjithashtu deklaroi se ka pasur zhvillim ekonomik dhe se Kosova nuk është vend i madh, por është shembull i mirë.
“Të gjithë ne kemi nevojë për rritje ekonomike. Më duhet të përmendi tri sfidat kryesore që kanë ndodhur, e para kërcënimet e sigurisë, e dyta pabarazia shoqërorë dhe e treta ndryshimet klimatike. Gjatë këtyre viteve sa jam në pushtet, ia kemi dalur të shtojmë çdo vit nga 1 milion euro ekonomisë tonë”, tha Kurti.