MENU
klinika

Akuzon gjyqtaren

Apeli i GJKKO liroi nga burgu Malltezin, reagon Sali Berisha

21.11.2023 - 14:16

Ish-kryeministri Sali Berisha, ka dalë në një konferencë për mediat mesditën e sotme, kur ndër të tjera ka reaguar edhe për ndryshimin e masës së sigurisë nga Apeli i GJKKO, për dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, duke e lënë në “arrest shtëpie”.

“Së pari, më duhet të them se nuk ka asnjë risi në vendimet të cilat dëshmojnë kontrollin e sistemit të drejtësisë, shndërrimin e saj në degë të ekzekutivit nga Edi Rama”. tha fillimisht Berisha.

Ish-kryeministri ka akuzuar gjyqtaren Enkeleda Millonai, i cila sipas tij, ditën e djeshme në sallën e gjyqit është shprehur se korrupsioni konsumohet edhe duke zbatuar ligjin.

Sipas tij me këtë deklaratë, gjyqtarja shumëzon me zero ligjin.

“Duhet t’ju informoj ju se dje në sallën e gjyqit, famozja (Enkeleda Millonai) ka deklaruar: Sipas saj, korrupsion konsumohet edhe duke zbatuar ligjin. Nuk ka standard më amoral se sa ky.

Kur një njeri i ligjit deklaron se korrupsioni konsumohet duke zbatuar ligjin, ajo fshin cdo norme mes moralit dhe amoralitetit, mes ndershmërisë dhe vjedhjes, mes integritetit dhe banditizmit.

Një deklaratë të tillë, ju garantoj se nuk e gjeni dot të bërë as në gjyqet më të egra të diktaturave. Ka deklaratë më të turpshme se kjo. Nëse ka një garanci transparenca, mosabuzimi dhe mbrojtja është zbatimi i ligjit.

Ajo shumëzon me zero ligjin, këtë mund ta bëjë vetëm ajo, por jo vetëm. Ajo e ka shqipëruar, por atë e ka shkruar Edi Rama me Arben Krajën, i cili qëndron në detyrë në kundërshtim me ligjin aktual të prokurorisë” shtoi ish-kryeministri.