MENU
klinika

Akuza për abuzime financiare

Apeli lë në fuqi pezullimin nga detyra për ish-Presidentin e Urdhrit të Stomatologut

17.11.2023 - 18:45

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e pezullimit nga detyra për Nikoll Dedën ish-Presidenti i Urdhrit të Stomatologut. Ndaj tij, rëndojnë akuza për abuzime financiare me fondet në vlera të mëdha, shkarkim të padrejtë të një punonjësi dhe punësimin e të fejuarave të djemve të tij në institucionin që drejtonte.

Kujtojmë se Deda u pezullua nga detyra me vendim të Gjykatës së Tiranës. Ndërsa prokuroria po e heton për shpërdorim detyre dhe abuzime me fondet pas denocimit të një personi i cili ishte shkarkuar nga Nikoll Deda pa të drejtë.

Ai u kallzua nga shtetasi A.G. më 18 janar të këtij viti, për abuzime financiare dhe manipulime me vendimmarrjeve të Këshillit Kombëtar që datojnë nga viti 2016.

Kallëzuesi ka deklaruar se në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, Nikolla Deda, në cilësinë e Presidentit të Urdhrit të Stomatologëve, ka vijuar në mënyrë të jashtëligjshme me mbledhjen e Këshillit Kombëtar dhe Asamblesë, ku ka marrë vendime të dyshimta me karakter financiar, si dhe ka kryer punësime të familjarëve të anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe të vetë familjes së tij.

Sipas tij, më datë 21.09.2020 është vendosur blerja e një godine, në funksion të Urdhrit të Stomatologut, me sipërfaqe 350m2 , në vlerën 700.000 euro. Për sa kohë ka një vendim për sigurim padie të 2020, Këshilli Kombëtar i US nuk duhet të merrte vendime të tilla me impakt ekonomik kaq të lartë.

Gjithashtu, Këshilli Kombëtar ka aprovuar marrjen e një kredie pranë një banke në vlerën prej 250.000 euro me qëllim “blerje ambientesh”, për të cilin është marrë vendimi po nga presidenti N.D., thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Prokuroria thotë se me veprimet/mosveprimet e tij Deda ka krijuar një “klimë posedimi privat” duke përqendruar në duart e tij funksionet e këshillave rajonale qoftë për sa i përket administrimit të buxhetit të urdhrit të stomatologut ne nivel qarku, qoftë për sa i përket pajisjes me licencë të stomatologeve për ushtrim individual profesioni.

Për më tepër punësimi i të fejuarave të djemve të tij në Urdhrin e Stomatologut, apo fëmijëve të anëtarëve të Këshillit Kombëtar janë thjesht tregues i personalizimin e “Urdhrit të Stomatologut” ai, duke krijuar një klimë posedimi privat të këtij enti publik.

Pavarësisht se është marrë i pandehur dhe është aktualisht në proces gjyqësor i akuzuar për nenin 320 të Kodit Penal, në një tjetër procedim penal, ka ndërmarrë veprime aktive në shpërdorim të detyrës për përqendrim të mëtejshëm të kompetencave në duart e tij duke shfrytëzuar strukturat e USSH-së.