MENU
klinika

Nga Artur Ajazi

As Berisha e as Basha, por dikush tjetër…

07.11.2023 - 20:37

Të besosh sot se “Berisha do ta sjellë PD në pushtet”, apo dhe se “Basha është e ardhmja e PD”, është njëlloj sikur të ndodhë kataklizmoja në politikë. Askush nga këta të dy, kurrën e kurrës, nuk mund ta shpjerë Partinë Demokratike në dyert e pushtetit. Berisha e ka mbyllur ciklin, kurse Basha, mbetet figura më antipatike dhe më e kompromentuar e politikës. Pra, ata që thonë se “Berisha të ikë, Basha të rrijë”, janë mercenarë borderosh, që po dëmtojnë rëndë atë “çik” opozitë që ka mbetur.

Si Berisha ashtu edhe Basha, po derdhin paranë “lumë” për reklama politike. Të dy po shkallmojnë nga themelet atë parti, që nuk u përket fare, asnjë cm atyre, që kanë abuzuar dhe vazhdojnë të abuzojnë me emrin, logon, firmën, vulën, dhe anëtarësinë e asaj partie. si mund të besosh se Berisha apo dhe Basha, “mund ta çojnë PD drejt pushtetit”, kur akuzohen të dy për afera korruptive, lidhje me trafikun, njerëz të krimit, dhe akuza të tjera të tmerrshme.

Ata të dy, që ç’nuk i kanë bërë partisë tyre, që ç’nuk i kanë bërë shqiptareve sa ishin në pushtet, ata që kanë 2 vjet e ca që po e “shqyejnë” partinë derisa ta bëjnë copash për interesat e ndushta personale dhe familjare, kurrë nuk e çojnë atë në fitore. Më paradoksale mbetet stepja e të rinjve në atë parti. Ata afrohen dhe lihen në hije. Ata afrohen dhe gjëja e parë që u bëhet, është indoktrinimi me berishizmin. Ish-lideri u prezantohet si “hero, shpëtimtar, kryetar i përjetshëm”, dhe çdo gjë, (veç humbjeve) i dedikohet atij.

Po kjo gjë, ndodh edhe në grupimin Basha. Edhe ai si “babai tij politik”, ka krijuar “të rinjtë bashistë”, po investohet në gjithçka, po derdh paranë “lumë”, duke blerë media, “analistë”, militantë dhe mbështetës, duke krijuar edhe ai, “perandorinë e tij të vogël” si Berisha. Pasi e kanë kthyer partinë në “leckë”, pasi i kanë zhvatur emrin, gërmat, flamujt, simbolet, selinë, paratë, njerëzit, po propogandojnë me forcë “fitoren mbi qeverisjen Rama”.

Naiviteti politik ka pushtuar Berishën, ekzaltuar Bashën, dhe trullosur të rinjtë që besojnë akoma se “në pushtet na shpien vetëm këta të dy”. Mungesa e lirisë së fjalës, mendimit, veprimit dhe aksionit të brëndshëm, mungesa e identitetit politik, po nxjerrin jashtë skene Partinë Demokratike të ndarë dhe shkaterruar. Dikush tjetër, që do të vinte nga jashtë saj, dikush tjetër që do të ishte me formimin dhe mentalitetin e duhur europianist, do të ishte shpresa e vetme e Partisë Demokratike. Dikush tjetër, i pazgjedhur nga Berisha-Basha, apo i pandikuar nga propoganda e tyre, do të ishte zgjidhja e duhur e Partisë Demokratike, të paktën për ta rimëkëmbur atë deri në fazën fillestare si forcë politike e përgjegjshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Artur Ajazi

Zhurmë, jo punë