MENU
klinika

Baza detare e Sarandës

Si ndryshoi qëndrimi për koncesionin e “Marina Bay Saranda”

16.11.2023 - 13:39

Pak kohë pasi Gjykata e Lartë refuzoi rekursin e koncesionarit “Marina Bay Saranda” që lë në fuqi sekuestrimin e bazës detare në Sarandë, dalin në dritë të tjera të dhëna. Në vendimin e Gjykatës së Lartë jepen edhe letër-këmbimet midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe koncesionarëve, kërkesa e të cilëve është pranuar më 10 tetor të vitit 2019. Më 20 janar vitit 2020, Ministria e Mbrojtjes e drejtuar nga Olta Xhaçka i drejtohet Komandës së Forcës Detare, e cila një ditë më vonë kthen përgjigje se nuk është kompetente për t’u shprehur për këtë procedurë.

Dy ditë më vonë, pra më 22 janar të vitit 2020. Komanda e Forcës Detare, me shkresën nr. 231/1shprehet se Komanda e Forcës Detare nuk është dakord për miratimin e këtij projektvendimi, pasi sipërfaqja e pasqyruar nga përshkrimi i projektit dhe skema në relacion nuk përputhen me sipërfaqen nën administrim të Portit Sarandë pasi krijon mbivendosje me pronën nr. 696 “Baza ndihmuese Sarandë”.

Po atë ditë, drejtori i Shtabit të Përgjithshëm me shkresën nr. 462, ka shprehur mosdakordësinë e tij për miratimin e projektit, pasi ky i fundit do të përfshinte edhe pronën nr. 696, e cila është në Planin e Vendosjes dhe Përhapjes, duke cenuar ndjeshëm kapacitetet operacionale dhe, rrjedhimisht, edhe zbatimin e misionit të Forcës Detare dhe Rojës Bregdetare.

Pas këtyre komunikimeve mes drejtorive përkatëse në Ministrinë e Mbrojtjes, kjo e fundit i drejtohet ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë ku shpreh mosdakordësinë për miratimin e projektit duke arsyetuar se: “… është i pamundur identifikimi i pronave në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes që preken nga projekti, pasi të dhënat tekniko-ligjore, përfshirë dokumentacionin teknik që shoqërojnë projektvendimin janë të paplota”.

Në të njëjtën shkresë, Ministria e Mbrojtjes, thotë se ka në përgjegjësi administrimi katër prona, një pjesë e të cilave janë brenda Planit të Vendosjes dhe Përhapjes së Forcave të Armatosura. Javë më vonë, më 28 maj, Ministria e Infrastrukturës, e drejtuar nga Belinda Balluku, i drejtohet sërish Ministrisë së Mbrojtjes për dhënien me koncesion të portit turistik të Sarandë, duke i bashkangjitur kërkesës edhe një hartë të detajuar të zonës ku do të shtrihet koncesioni.

Për këtë kërkesë të re, në vendimin e Gjykatës së Lartë thuhet se Ministria e Mbrojtjes anashkaloi Komandën e Forcës Detare që kishte në administrim pronën, duke i kërkuar mendim vetëm Drejtorisë së Miradministrim të Pronave dhe Aseteve, si dhe Shtabit të Përgjithshëm. Ndryshe nga përgjigja e janarit ku kundërshtonte dhënien e koncesionit, në përgjigjen e dytë, drejtoria e Miradministrimit të Pronave dhe Aseteve e transferon kërkesën tek Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë. Kjo e fundit pa ngritur grup pune siç thuhet në vendim, shprehet se koncesionari nuk duhet të “cenojë operacionalitetin, sigurinë dhe gatishmërinë e Forcave të Armatosura/Forcave Detare, si dhe ushtrimin e sovranitetit dhe zbatimin e ligjshmërisë në det…”.

Në të njëjtin muaj, pra më 18 qershor 2020, në shkresën e dytë, Ministria e Mbrojtjes ka ndryshuar qëndrim, duke shprehur dakordësinë për zhvillimin e projekt-vendimit për dhënien me koncesion/partneritet publik privat duke dhenë të njëjtën “këshillë” si Shtabi i Përgjithshëm që projekti të mos cenojë “operacionalitetin, sigurinë dhe gatishmërinë e Forcave Detare”. Baza detare u vu nën sekuestro me kërkesë të SPAK në shkurt të këtij viti, vendim i lënë në fuqi më pas edhe nga Apeli i GJKKO-së.