Ish-kryeministri, Sali Berisha nga Durrësi ka dhënë një përgjigje që mund të thuhet se është përfundimtare për fatin e opozitës.
Ai thotë se nuk do ta ndërrojnë emrin e partisë pavarësisht se çfarë ka ndodhur dhe vijon të ndodhë.
Berisha thotë se ai emër dhe demokracia e Shqipërisë, ai emër dhe pluralizmi, ai emër dhe shpresa e Shqipërisë, duhet të jetojnë dhe do jetojnë gjithmonë.
“Çfarë ndodh në parlament? Ka një muaj që ne, deputetët tuaj, për ju, për votën tuaj, për idealet tuaja, kemi filluar protestën, sepse ne, jashtë çdo lloj imagjinate, ky horr i shtetit, nuk na lejon të paraqesim ligje. Ky kriminel nuk na lejon krijimin e komisioneve që Kushtetuta e ka me ligj. Parlamenti do u rikthehet qytetarëve vetëm kur Kushtetuta të zbatohet aty. Deputetët e parlamentit janë të vendosur për sakrificë sublime njëlloj si në vitin 1991, qytetarët e Durrësit bënë copa këtu përmendoren e Enver Hoxhës, në Shkodër të Stalinit, njësoj si Kavaja që përmbysi diktaturën.
Në parlament çfarë po bëjmë? Ne e dimë që ai nuk i plotëson kërkesat, por ne do qëndrojmë deri në pikën e fundit. Sepse ne duhet të vrasim frikën te të tjerët. Këto janë akte, simbole të guximit, por duhen për të vrarë frikën. Se ka ngjallur frikë ky biri i xhelatëve. Ka ngjallur frikë te qytetarët. Unë do ua them këtu, shumë nga ju mund të keni menduar se ne duhet të zgjedhim emër tjetër. Jo, ne nuk do zgjedhim emër tjetër. Ai emër dhe demokracia e Shqipërisë, ai emër dhe pluralizmi, ai emër dhe shpresa e Shqipërisë, duhet të jetojnë dhe do jetojnë gjithmonë.”, tha Berisha.