MENU
klinika

“E keqja ka pllakosur Shqipërinë”

Berisha thirrje për protesta: Të ngrihemi sot, si në ’90-ën”!

13.11.2023 - 20:18

Ish-kryeministri Sali Berisha ka ftuar qytetarët e Kavajës që të ngrihen në protesta si në vitet ’90, për çlirimin e Shqipërisë.

Përmes një bashkëbisedimi me anëtarët dhe simpatizantët në qytetin e Kavajës, Berisha e quajti situatën e ditëve të sotme si një e keqe e madhe që e ka pllakosur Shqipërinë.

Ndërsa citonte ish-presidentin amerikan, pas një gjenerate, Berisha thotë se në Shqipëri demokracia është zëvendësuar me diktaturën.

Do ta nis këtë fjalë me një thirrje zemre për çdo qytetar të Kavajës, për çdo qytetar shqiptar, të bëhemi kavajas të vitit 1990. Të ngrihemi sot siç u ngritën atë vit, djemtë, burrat, por e vërteta edhe nënat, vajzat, motrat e Kavajës, kundër më të egrës diktaturë që kishte njohur Europa.

Ata kishin përballë një parti përbindëshe, por ata kishin idealet e tyre, kishin traditat e shkëlqyera familjare, kishin fisnikërinë e njeriut që nuk shet vlerat e tij. E vërteta është se grupet antikomuniste të Kavajës, e çliruan Kavajën, shumë kohë përpara çdo qyteti të Shqipërisë.

E çliruan Kavajën sepse ata ishin guximtarë, sepse Josif Buda ra për t’u bërë i vdekur dhe skuqi rrugët e këtij qyteti, sepse e shndërruat stadiumin në një fushë gladiatorësh, në një përballje epike me diktaturën mizore. Sepse ju kavajasit jo vetëm djemtë dhe burrat, por e vërteta është edhe nënat, motrat dhe vajzat, nuk duruat, nuk pranuat të pajtoheshin më tutje me të keqen.

U ngritët ju, frymëzuat Shqipërinë dhe ndaj ju them sot këtu, me të keqen e madhe që ka pllakosur Shqipërinë pas 30 vitesh, pas një gjeneratë, siç thotë në mënyrë profetike Ronald Regan, që demokracisë vetëm një gjeneratë i duhet për t’u zhdukur, për t’u  zëvendësuar me diktaturën. Dhe kjo ka ndodhur në Shqipëri. Sot përsëri, Kavaja është qyteti i shpresës. Kavaja nuk u mposht në kushtet më të egra në zgjedhjet e fundit, ju i dhatë qytetit dhe vendit Fisnik Qosen, kryetar bashkie.

Por mos harroni këtu, se kujtoj si sot, datën 20 shkurt, kur në Tiranë do bëhej beteja e madhe për të përmbysur shtatoren e satanit. Mbi 1500 burra u nisën në këmbë për të ardhur në Tiranë në betejë dhe u bënë pararoja e asaj beteje. Sot, çdo kavajas, të cilët çliruan Kavajën, ka mision historik të luftojë për çlirimin e Shqipërisë”, tha Berisha.