MENU
klinika

“Shqiptarët paguajnë më shtrenjtë”

BIRN: Koncesionet dhe PPP-të dështuan, kostoja rritet

06.11.2023 - 21:09

Taksapaguesit shqiptarë pritet të paguajnë minimalisht 14.3 miliardë lekë për kontratat kontroverse koncesionare, shumë prej të cilave kanë dështuar të ofrojnë shërbimet e premtuara si dhe kanë rezultuar të prekura në masë të madhe nga korrupsioni qeveritar. Por pavarësisht hetimeve të SPAK, kostoja e tyre në xhepat e qytetarëve pritet të rritet.

Qytetarët shqiptarë pritet të paguajnë edhe më shtrenjtë vitin e ardhshëm një paketë kontratash të partneritetit publik-privat, tashmë famëkeqe për shkallë të lartë korrupsioni të hetuar në disa procedime penale nga SPAK. Sipas të dhënave të projekt-buxhetit 2024, kostoja e këtyre kontratave pritet të rritet në 14.3 miliardë lekë nga 13.1 miliardë këtë vit, pavarësisht se dy nga këto kontrata, incineratori i Fierit dhe ai i Elbasanit, janë shlyer tashmë tërësisht.

Kontrata më e shtrenjtë është ajo që parashikonte ndërtimin e Rrugës së Arbrit, kostoja e së cilës do të rritet vitin e ardhshëm në 3.5 miliardë nga 2.8 miliardë që po shpenzohen këtë vit. Rruga e Arbrit në total pritet t’i kushtojë qytetarëve 40.3 miliardë lekë me pagesa që do të vijojnë deri në vitin 2031. Qytetarët kanë paguar sakaq 15 miliardë lekë ndërsa kompania sipërmarrëse ka dështuar deri më sot të dorëzojë objektin sipas kontratës, ku pjesa kyçe, tuneli nën qafën e Murrizit, vijon të mos jetë operacionale edhe një vit e gjysmë pas skadimit të afatit fillestar. Aktualisht qeveria nuk jep të dhëna se kur mundet që rruga të përfundojë së ndërtuari, pavarësisht se kompania sipërmarrëse ka marrë shtesë kontrate. Dhe jo vetëm kaq, por e njëjta kompani ka fituar një tender të titulluar “rivitalizimi i skarpatave”, gjë që efektivisht është shtesë mbi shtesën e kontratës për ndërtimin e këtyre pesëdhjetë kilometrave rrugë.

Ofrimi i Shërbimeve laboratorike spitalore, një koncesion që është aktualisht në hetim, është i dyti më i madh që do t’i kushtojë shqiptarëve 1.85 miliardë lekë, me një rritje 3% në krahasim me këtë vit.

Koncesioni i seteve kirurgjikale, për të cilin propozuesi dhe zëvendësministri janë aktualisht në paraburgim në pritje të gjykimit planifikohet të kushtojë 1.76 miliardë lekë, i pandryshuar nga viti i kaluar, ndërsa koncesioni i fushave të plehrave të Tiranës pritet të kushtojë 1.27 miliardë lekë, me rritje prej 23%. Landfilli i Sharrës, aktualisht në sekuestro preventive nga SPAK si objekt krimi, i siguron të ardhurat nga pagesat e buxhetit përmes kontratës koncesionare, nga pagesat e bashkive Durrës e të tjera si tarifë depozitimi si dhe nga tarifat e depozitimit për subjektet private. Megjithëse tashmë është e qartë se pronarët finalë të kontratës koncesionare janë biznesmenët në arrati Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, dhe se kontrata koncesionare nuk është zbatuar nga ana e kompanisë sa i përket investimeve të planifikuara, qeveria e kryeministrit Edi Rama nuk ka lëvizur për të anuluar kontratën apo për të ndërprerë pagesën apo për të zgjidhur problemin e plehrave në tërësi.

Rruga Milot – Morinë është një kontratë tjetër që i kushton taksapaguesve rreth 738 milionë lekë si pagesa të drejtpërdrejta nga buxheti përveç të ardhurave nga tarifat. Sipas të dhënave të bilancit të saj, kompania pati të ardhura në masën 1.16 miliardë lekë vitin e kaluar dhe fitime në masën 141 milionë lekë.

Shpenzimet e drejtpërdrejta të taksapaguesve për koncesionet pritet të rriten më tej në 15 miliardë lekë në vitin 2025, sipas vlerësimeve të Ministrisë së Financave./ BIRN

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Project Syndicate-Birn

ANALIZA: Kriza e mirë e Europës

Çmimet e larta sollën rënie konsumi

Analiza e BIRN: Kriza godet të ardhurat buxhetore

“S’janë gjëkundi me shërbimet online”

BIRN: Përse ka radhë në banka edhe pas ankesës së Ramës