MENU
klinika

Prezanton buxhetin

Bonusi i bebeve/ Ministrja e Shëndetësisë: Do të vijojë edhe në vitin 2024

30.11.2023 - 21:50

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka prezantuar në “Special Report” në ABC News buxhetin e shëndetësisë.

“Buxheti i vitit 2024 do të jetë buxheti më i madh për sektorin e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale. Është një buxhet që ka vlerën e 98.7 miliardë lekësh dhe nëse do t’i ndaja në dy sektorët më të mëdhenj, në shëndetësi dhe mbrojtje sociale, kemi rreth 67 miliardë lekë akorduar për sektorin e shëndetësisë dhe rreth 30 miliardë lekë akorduar për sektorin e mbrojtjes sociale. Do të thoja që është buxheti më i madh, për faktin se është buxheti për fatin e të gjithë shqiptarëve. Në kuptimin që prek çdo familje shqiptare, si kundër nga ana e shëndetësisë, por dhe ajo e mbrojtjes sociale, sa i përket grupeve vurnerabël dhe grupeve në nevojë”.

Ajo është ndalur te paketa sociale “Shqipëria Solidare”, duke zbuluar se ku do të orientohet më shumë. Koçiu ka thënë se do të ketë një rritje pagash për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët. Sakaq, rritje do të ketë dhe pjesa e mbrojtjes sociale, gratë dhe nënat kryefamiljare, nënat me shumë fëmijë, familjet e varfra dhe sidomos fëmijët e familjeve të varfra, personat me aftësi të kufizuar.

 “Kryesisht ka në fokus mbulimin me nevoja shëndetësore sa më pranë qytetarëve. Ndërkohë, nga ana tjetër pa lënë menjëanë dhe rolin kryesor që kanë mjekët dhe infermierët në sistemin tonë shëndetësor. Ne do të kemi dhe një rritje të konsiderueshme të pagave sa i përket sektorit të shëndetësisë dhe pikërisht grupit të infermierëve dhe mjekëve të përgjithshëm. Patëm një rritje të konsiderueshme për të gjithë mjekët specialistë të fushave, ndërkohë vijojmë në 2024 sërish me rritjen e buxhetin dhe rritjen e pagave në këto dy kategori që janë shumë të rëndësishme.

Ndërkohë, rritje do të ketë dhe pjesa e mbrojtjes sociale, gratë dhe nënat kryefamiljare, nënat me shumë fëmijë, familjet e varfra dhe sidomos fëmijët e familjeve të varfra, personat me aftësi të kufizuar. Janë të gjitha grupet që do të mbulohen gjatë vitit 2024 me paketa jo vetëm në pagesa dhe në shërbimet sociale”.

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ka deklaruar në “Special Report” se bonusi i bebeve do të vijojë edhe në vitin 2024. Ajo ka thënë se do të jepen 40 mijë leke për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për të dyti dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë dhe me radhë.

Sakaq, Koçiu ka theksuar se ky bonus është mirëpritur nga të gjitha familjet e reja.

“Bonusi i bebeve do të vijojë dhe në 2024. Është një bonus që i shkon çdo fëmije të porsalindur në mënyrë rritëse. Pra, 40 mijë leke për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për të dyti dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë dhe me radhë. Është një politikë, e cila për hir të vërtetës ka gjetur mikpritje dhe është pritur mirë te të gjithë familjet e reja. Ne synojmë padiskutim që ta vijojmë dhe të mbështesim familjet e reja për t’i dhënë mundësinë fëmijëve, që që në hapat e parë t’i plotësohen nevojat e tyre, por ndërkohë dhe për të lehtësuar familjen në mirërritjen gjatë viteve të tyre të para të jetës”, deklaroi Koçiu.