Pasi liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë në deklaratën e tyre të përbashkët javën e kaluar i kërkuan Serbisë njohjen de facto të Kosovës, me këtë kërkesë në Beograd erdhi edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç sfidoi sërish të martën thirrjet e diplomacisë perëndimore për përmbushjen e detyrimeve nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që nënkuptojnë njohje de fakto të pavarësisë së saj. “Për ne njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje dhe këtë e kam përsëritur disa herë dhe nuk e kam të vështirë as turp ta them dhe përsërisë para presidentes së Komisionit Evropian”, tha ai gjatë një konference të përbashkët për gazetarë me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen.
Reagimet
Milica Andriq Rakiq, nga “New Social Initiative”, një organizatë joqeveritare nga veriu i Kosovës, tha për Danas se meqenëse njohja de facto nuk është e përcaktuar në praktikën juridike ndërkombëtare, është gjithashtu e mundur që kriteret për atë që përbën njohje de fact është e ndryshme për vende të ndryshme. “Nuk është e qartë se çfarë nënkuptojnë me këtë liderët e vendeve kryesore anëtare të BE-së, por besoj se korniza është në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit nga shkurti i këtij viti dhe aneksi i asaj marrëveshjeje nga marsi. Me shumë gjasa i referohet përmbushjes së detyrimeve nga nenet 1-6 dhe 8 të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ose të paktën disa prej tyre. Përsëri, disa nga ata artikuj janë të paqartë, por më konkretët janë ata që flasin për njohjen e dokumenteve, simboleve kombëtare dhe vulave dhe vendosjen e misioneve të përhershme. Nuk besoj se Serbia përballet me ndonjë kërkesë shtesë në këtë drejtim, të panjohur për publikun për momentin”, thotë ajo. Siç shton ajo, duke pasur parasysh se gjatë vizitës së tij në rajon në Beograd dhe Prishtinë, kancelari gjerman Olaf Scholz foli për njohje reciproke, ndërsa tani po flet për njohje de facto, është e qartë se marrëveshja e arritur tashmë është afatmesme dhe se pritet të pasohet deri në marrëveshjen përfundimtare ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e gjithanshëm të marrëdhënieve nëse Serbia dëshiron të përparojë drejt BE-së. Në fund të fundit, kjo është e përcaktuar në nenin 6 të marrëveshjes për rrugën e normalizimit dhe për shumicën e vendeve të BE-së nënkupton njohjen e Kosovës nga Serbia”, thotë Milica Andriq Rakiq.
Çfarë po kërkon Brukseli?
Marko Milanoviç, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Reading, tha për N1 se publiku nuk e di nëse Brukseli tani po kërkon nga Aleksandër Vuçiç diçka më shumë se sa është në marrëveshjet që janë arritur deri më tani. Milanovic thotë se njohja “de facto” mund të jetë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht e detyrueshme, e cila në fakt është një traktat ndërkombëtar që do të duhej të ratifikohej nga parlamentet e Serbisë dhe Kosovës. “Kjo do të ishte një njohje ‘de facto’ dhe do të dërgonte një sinjal të qartë për vendet e tjera se Serbia hoqi dorë nga Kosova në çdo kuptim real, por jo në kuptimin nominal,” shpjegoi profesori. Megjithatë, ai ka theksuar se i duket joreale që Vuçiç dhe Albin Kurti të arrijnë një marrëveshje të tillë në afat të shkurtër apo të mesëm. Ai shpjegon se njohja “de facto” nuk ka një kuptim të përcaktuar qartë në të drejtën ndërkombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai thotë se ndonjëherë kjo mund të nënkuptojë vetëm vendosjen e një lloj marrëdhënie diplomatike, pra hapjen e misioneve që nuk do të jenë në nivel ambasadash.
Marrëveshja
Duke folur për pretendimet se në të gjitha marrëveshjet e mëparshme ka dispozita që lindin interpretime se Serbia tashmë “de facto” e ka njohur Kosovën, i ftuari i emisionit “Iza vesti” theksoi se kjo nuk do të ishte diskutuar njëqind herë nëse ashtu ishte rasti. “A ka thënë Serbia pa mëdyshje se e konsideron Kosovën shtet sovran – jo. Ajo që i duhet Kosovës është një sinjal i qartë se Serbia nuk pretendon më një të drejtë të madhe për sovranitet dhe se kjo i hap rrugën Kosovës për të vendosur marrëdhënie diplomatike me vendet që nuk e njohin atë dhe se i hap rrugën anëtarësimit në OKB. Kjo marrëveshje do të ndodhte nëse do ta njihnin shtete të ndryshme”, shpjegoi Milanovi?.