MENU
klinika

’21 janari’

Detaje të reja nga vendimi i ‘Strasburgut’: Ja si Kryeministri Berisha sulmoi prokurorinë dhe nuk zbatoi urdhërat e saj

18.11.2023 - 21:17

Gjykata e Strasburgut, që denoncoi pamjaftueshmërinë e hetimeve të bëra nga autoritetet gjyqësore mbi tragjedinë e 21 janarit (kur ishte në pushtet Sali Berisha), ka risjellë vendimin e pabesueshëm dhe te paprecendentë të kupolës së Policise qe bashke me ministrin e atëhershëm të Brendshëm, Lulzim Basha, duke zbatuar një urdhër të bërë nga kryeministri Sali Berisha, nuk ekzekutuan urdher-arrestet për gjashtë zyrtarë të lartë të Gardës. Prokuroria e Përgjithshme synonte t’i merrte në pyetje për të qartësuar përgjegjësitë mbi ngjarjen. Duke rilexuar sot deklaratat dhe sjelljen e Sali Berishës ndaj autoriteteve gjyqësore të kohës, dallohen të njëjtat tone kërcënimi dhe përbuzje që përdor sot ndaj SPAK-ut. Një tjetër provë se si Sali Berisha nuk është vetëm armiku kryesor i medias së lirë, por edhe armiku numër një i drejtësisë së pavarur.

Ja disa paragrafe të marra nga vendimi i Gjykatës së Strasburgut:

‘Në mëngjesin e hershëm të 22 janarit 2022, prokurorët shpallen urdhra arresti (urdhër-ndalime) për gjashtë oficerë të lartë të Gardës Kombëtare. Në orën 6:20 të mëngjesit, urdhërat iu dorëzuan policisë për zbatim. Ngjarjet e mëtejshme të 22 janarit 2011 u përshkruan nga Kryeministri i asaj kohe në një fjalim para Parlamentit më 23 janar 2011: Ministri i Brendshëm, i cili ishte pergjegjes për policinë, në një telefonatë me Prokurorinë e Përgjithshme bëri të ditur se oficerët e Gardës Kombëtare do të ishin në dispozicion të plotë për pyetje. Megjithatë, Ministri kërkoi që urdhrat e arrestimit të rishqyrtoheshin pas njoftimeve të opozitës për një proteste të heshtur që do të zhvillohej më 28 janar 2011 dhe nevojën e Gardës Kombëtare për të pasur të gjithë oficerët në dispozicion. Prokurori i Përgjithshëm refuzoi kërkesën dhe kërkoi përsëri që policia të zbatonte urdhërat e arrestimit. Pasdite, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë informoi Prokurorinë e Përgjithshme se për shkak të gabimeve teknike, urdhërat e arrestimit nuk mundën të zbatoheshin.

”Më 24 janar 2011, Kryeministri bëri komentet e mëposhtme në lidhje me hetimin në vijim të ngjarjeve: “Edhe pse organizatorët e grushtit mbajnë strategjinë e tyre, ne do të vazhdojmë detyrat tona si qeveri. Them [ata] vazhdojnë, sepse Prokurori i Përgjithshëm – i cili brenda një periudhe prej gjashtë orësh, pa ndonjë hetim, i ka dhënë urdhër arrestimi gjithë zinxhirit [i komandës] të Gardës Kombëtare – sot nuk ka dhënë urdhër për paraburgim në lidhje me një nga kryeterroristët dhe kryqtarët kryesorë të cilët u filmuan dhe u fotografuan nga mediat shqiptare dhe të huaja me një revolver në bel, në derën e Zyrës së Kryeministrit (…) Dua ti them Zonjës Prokurore të Përgjithshme se Garda Kombëtare, që ju dëshironi ta dekapitojë për qëllimet tuaja vetjake[,] ju mbrojti edhe ju – ka detyrim të ju mbrojë edhe ju; ju ka mbrojtur dhe do t’ju mbrojë përsëri, bini dakord, për sa kohë të mbani [postin tuaj]. (…) Zonja që liroi burrin e armatosur me një armë zjarri dhe që sulmoi oficerët, të cilët e mbrojtën atë, duhet të dijë se ka hyrë në ujëra shumë të gabuar dhe ky nuk është zbatimi i ligjit. Kjo nuk është zbatimi i ligjit për të cilin votuan qytetarët shqiptarë. Të kërkosh arrestimin e komandantit të Gardës Kombëtare dhe atyre që kanë mbrojtur institucionet shtetërore dhe të lirosh banditin që dogji institucionet, ju bën të dukeni shumë keq para shqiptarëve dhe botës:…”.

”Më 27 janar 2011, gjatë një takimi me anëtarë të familjeve të oficerëve të forcave të policisë dhe Gardës Kombëtare, Kryeministri kritikoi përsëri – kësaj here në terma ofendues – Prokurorinë e Përgjithshme personalisht në lidhje me mënyrën si po hetohej ngjarja e 21 janarit 2011. Më 2 shkurt 2011, në përgjigje të një thirrje nga një komision parlamentar i hetimit për ngjarjet e 21 janarit 2011, i cili ishte themeluar në ditët e mëparshme, Prokurorja e Përgjithshme paraqitet para komisionit. Ajo deklaroi se hetimi në lidhje me ngjarjet ishte ende në vazhdim dhe se nuk mund të përgjigjej pyetjeve të komisionit për momentin. Ajo, në përputhje me këtë, iu largua dëgjimit, pas të cilit anëtarët e komisionit bënë komente kritike – veçanërisht, se Prokurorja e Përgjithshme kishte treguar arrogancë, ishte angazhuar në mosdetyrim të detyrës së saj dhe kishte shpërfillur komisionin”.

”Mosekzekutimi i urdhrave të arrestit çoi në humbjen e tetëmbëdhjetë ditëve, ndërmjet datës kur janë lëshuar urdhrat e arrestit dhe datës në të cilën prokurorët kanë mundur te pyesin të dyshuarit kryesorë. Me e rendesishmja, përveç humbjes së kohës së çmuar, autoritetet humbën në mënyrë të pakthyeshme mundësine për të marrë në pyetje të dyshuarit menjëherë pas incidentit, duke minimizuar kështu çdo mundësi për marrëveshje të fshehtë ose shtrembërim të së vërtetës”.