Në Spanjë po përhapet me ritme të shpejta pakënaqësia pas konfirmimit të liderit socialist Pedro Sanchez si president i qeverisë për herë të tretë.
Këtë e dëshmon edhe sondazhi i fundit i Institutit Dym për gazetën spanjolle 20 Minutos: Nëse spanjollët do të shkonin të votonin sot, partia popullore do t’i fitonte zgjedhjet me 36,9%, gati katër pikë përqindje më shumë se rezultati i marrë në zgjedhjet e kaluara, kur ai mori 33.1%. Ndaj, pavarësisht rikthimit të Sanchez në krye, të mundësuar mbi të gjitha nga marrëveshjet me separatistët, vullneti i votuesve duket më i qartë se kurrë.
Në të njëjtën kohë, i njëjti sondazh regjistron një rënie të ndjeshme në Partinë Socialiste të Punëtorëve Spanjoll (PSOE), partia e Presidentit Sanchez: ajo shkoi nga 31.7% në zgjedhjet e korrikut në 29%.
Partia sovraniste Vox dhe platforma e majtë Sumar e Ministres së Punës, Yolanda Diaz, do të ishin të dyja në 11.1%. Për sa i përket vendeve, pra, Partia Popullore (PP) e Alberto Feijóoe dhe Vox e Santiago Abascal do të arrinin një shumicë absolute edhe në skenarin më të keq. PP do të merrte midis 149 dhe 155 deputetë, krahasuar me 137 të marrë në korrik, ndërsa Vox do të shkonte nga 33 aktuale në një numër vendesh midis 28 dhe 32.
Së bashku ata do të arrinin gjithsej midis 177 dhe 187 deputetë, një numër që do t’i lejonte ata të qeverisin, duke qenë se është gjysma plus një e vendeve në Kongres.
Kujtojmë se para pak ditësh, organizatat e shoqërisë civile kanë organizuar protestë masive kundër kryeministrit Pedro Sanchez, që arriti të siguronte votat për të vazhduar mandatin.
Kësaj proteste i janë bashkuar edhe partitë e djathta, që kanë kundërshtuar marrëveshjen për formimin e qeverisë.