MENU
klinika

Roland Qafoku

Dy ngjarje që tregojnë se jemi shoqëri kriminale

13.11.2023 - 11:20

Dy ngjarje të rënda morën vëmendje të madhe për opinionin publik javën që shkoi. E para, bërja publike të martën e dhunës shtazarake të edukatores Majlinda Dehima në kopshtin “Stinët” në Tiranë me pasojë thyerjen e këmbës së një vogëlusheje 3 vjeç. E dyta, sherri live mes deputetëve të së njëjtës parti, Dashnor Sula dhe Kreshnik Çollaku, paraditen e të premtes në korridorin e kryesisë së Kuvendit. Të dy ngjarjet nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, por në fakt i bashkon një emërues i përbashkët: Ushtrim i dhunës si një ngjarje e rëndë kriminale dhe dhuna kriminale si një mentalitet. I pari i filmuar dhe publikuar 7 ditë me vonesë dhe i dyti i transmetuar live në sytë e të gjithë publikut. Për nga mënyra e realizimit dhe pasojat që kanë, të dy ngjarjet tregojnë se përfundimisht ne jemi një shoqëri e sëmurë dhe e diagnostifikuar me simptomë të rëndë por, edhe të dyfishtë kriminale në mentalitet dhe po kriminale në veprim. Po përse ndodh kjo?

Së pari, këto dy ngjarje treguan se dhuna prej kohësh vijon të jetë në normalitet në këtë vend. Për ngjarjen e parë, një edukatore që ka për detyrë të kujdeset për fëmijët rreth në mënyrë shtazarake një fëmijë 3 vjeç. I thyen këmbën, mbulon ngjarjen, rri e qetë dhe nuk ndjen fare pendesë, mbrohet nga ata që e rrethojnë, por dhe instancat e shtetit dhe kjo është shenjë e rëndë se dhuna është një normalitet jo vetëm në mendjen e saj, por e të gjithëve që e rrethojnë. Për ngjarjen e dytë, dy deputetë shahen, fyhen mes njëri-tjetrin publikisht në prani të kolegëve, në prani të medias, në institucionin më të rëndësishëm të shtetit, goditen. Në fund, njëri prej tyre artikulon frazën “ta pres fytin”, tregon se nuk është një sherr banal mes dy burrave në nxehje e sipër. Ky është një krim në mendje dhe në veprim nga dy njerëz që janë përfaqësues të popullit në institucionin më të lartë të shtetit.

Së dyti, këto dy ngjarje tregojnë se ne jemi një shoqëri pothuajse e gjithë kriminale në të gjithë kapilarët e saj dhe që nuk njeh dallim në çdo drejtim. Ajo nis që në ambjentet e një kopështi fëmijësh dhe përfundon deri në tempullin e shtetit. Ajo nis në një institucion arsimor si kopështi që është qeliza e parë e dijes dhe përfundon në institucionin më të lartë të shtetit si legjislativi. Dhuna ushtrohet ndaj një fëmije 3 vjeç me autore një grua 48 vjeçe dhe vijon me dhunën mes dy deputetëve, Kreshnik Çollaku 53 vjeç dhe Dashnor Sula 55 vjeç. Përfaqësim më të denjë në moshë dhe profesion për të thënë se jemi shoqëri kriminale nuk ka.

Së treti, dhuna në Shqipëri nuk njeh gjini. Një edukatore, që është grua dhe nënë vetë rreth në mënyrë shtazarake një fëmijë është simbolika se si dhuna në vendin tonë nuk është pronë vetëm e meshkujve. Dhuna në Shqipëri nuk ushtrohet vetëm nga burra, apo djem të rinj, por edhe nga gra dhe nëna. Rasti në këtë kopësht kur një grua godet dhe i thyen këmbën një vogëlusheje tregon se shoqëria jonë ka kapur fundin.

Së katërti, dy ngjarjet treguan se reagimi i personave që janë dëshmitarë është vërtetë po aq skandaloz sa edhe vetë dhuna. Shikojini të dyja pamjet! Shikoni pamjen e parë! Asnjë nga edukatoret, gratë kolege të edukatores dhunuese nuk ka reaguar. Si ka mundësi që në një kopësht, një fëmijë rënkon dhe qan sepse ka thyer këmbën dhe asnjë nga edukatoret e tjera, për të mos përmendur pronarët e kopështit, nuk reagojnë sepse me demek “nuk kanë parë dhe dëgjuar gjë”. Si ka mundësi që asnjë prej atyre grave edukatore nuk foli një fjalë? Shikoni pamjen e ngjarjes së dytë! Shikoni se si rrinë dhe bëjnë sehir disa deputetë kur dy kolegët e tyre kacafyten si dy gjela. Shikoni dhe dëgjoni se çfarë thonë pas ngjarjes deputetët kolegë të dy deputetëve që u kacafytën. “Dënojmë dhunën, por ama na e ka fajin PS-ja dhe Edi Rama”. Po pse, Edi Rama ua ka fajin pse ju ziheni me grushta në korridoret e kuvendit?

Së pesti, të dy ngjarjet treguan se çfarë emërojmë, zgjedhim, kontrollojmë dhe verifikojmë ne si shoqëri. Ngjarja në kopështin “Stinët” tregoi se strukturat e shtetit janë inekzistente. Ato as nuk vërtetojnë, e as verifikojnë se si një kopësht tre kilometra larg qendrës së kryeqytetit arrin të funksionojë pa licencë. Ngjarja tregon se si ka rekrutuar stafin në punë dhe si arrin të menaxhojë këtë kopësht. Nëse strukturat do të funksiononin, padyshim që ngjarja nuk do të ndodhte. Ngjarja e dytë ka për autorësi dy deputetë që janë të zgjedhur nga populli. Të dy zihen për çdo gjë që është interes i partisë së tyre, vetëm për hallet dhe problemet e popullit jo. A është normale që ata që kemi zgjedhur në parlament të bëjnë këtë shfaqje? Pra, ne jemi edhe si strukturë edhe si shoqëri e paaftë të zgjedhim, emërojmë dhe verifikojmë.

Së gjashti, dy ngjarjet treguan se ne jemi shoqëri që nuk reagojmë për ngjarje të tilla. U desh një aktore si Eliona Pitarka të zgjonte nga gjumi shumë vajza, gra, nëna dhe burra bashkë që me foshnjen e saj me vete mbajti një fjalim zemre dhe me shumë ndikim në publik. Vetëm në 3 minuta fjalim ajo përmblodhi piskamën e një populli të tërë. Përse? Sepse foli siç ndjeu dhe bëri më elementaren, qytetaren. Kjo është arsyeja pse reagimi i saj u duk në shkallën më të lartë. Por a ishte normale që me të në atë protestë të ishin jo më shumë se 50 vetë? Kjo është edhe më e rëndë. Ndërkaq, shikoni reagimin në Partinë Demokratike për sherrin me Sulës dhe Çollakut. Shumica e kolegëve të tyre pas ngjarjes nuk kanë folur duke thënë në stilin “nuk e pashë se nuk isha aty”, ndërsa të tjerë nuk flasin fare sepse nuk mund të thonë asgjë. Epo, kur nuk reagojnë deputetët që presupozohet se janë shkallën më të lartë të reagimit, kush mund të flasë?

Së shtati, të dy ngjarjet treguan se drejtësia te ne vijon të jetë një fasada e bukur dhe pa asnjë brendi. Edukatorja bashkë me drejtuesit e kopështit arritën ta fshihnin ngjarjen për disa ditë, të korruptonin policët dhe prokurorët dhe ta shtynin publikimin e asaj që ndodhi. Këta njerëz që duhet të bënin drejtësi u treguan të pandjeshëm deri dhe për dhunën ndaj një fëmije. Ata nuk kanë vepruar as me instiktin më njerëzor, por në këmbim të ndonjë bakshishi toleruan atë më të patolerueshmen, duke bërë një krim edhe më të rëndë. Për deputetët e sherrit, ngjarja ishte edhe më e turpshme. Kur deputeti Sula qëlloi tinëz deputetin Çollaku ky i tha se do e padiste penalisht. Kjo ishte mëse e drejtë. Por ama më pas vijoi edhe ky me të shara dhe ofeza si në stadium duke i bërë të dyja. Pra, edhe drejtësinë, por edhe dhunën verbale. Të dy ngjarjet tregojnë se janë të dyja me premisa që mund të shkaktojnë hakmarrje. Të dy ngjarjet mund të jenë pikënisje që palët e dëmtuara të reagojnë po me dhunë, por edhe deri në krim. Imagjinoni një moment se çfarë mendon ai baba dhe ajo nënë e fëmijës 3 vjeç. A i shkon në mendje për tu hakmarrë? Vetëm kur e dëgjon këtë ngjarje, mbushesh me irritim. Për fëmijën njeriu hakmerret. Prandaj drejtësia duhet të vihet në vend në mënyrë në mënyrë që kjo të mos ndodhë. Dëgjojini si thonë njëri-tjetrit deputetët: “Do ta pres fytin”. Kjo nuk është sharje. Kjo nuk është një fjalë goje e lëshuar në nxehtësi e sipër mes dy burrave. Ky është premtim kriminal. Dhe në kuvendin tonë kanë ndodhur ngjarje shumë më të rënda. Ka kërcitur pistoleta në shtator të vitit 1997 kur deputeti Gafurr Mazreku plagosi me 5 plumba deputetin Azem Hajdari. Edhe me këtë ngjarje, krimi është përsëritur sërish në parlament.

Së teti, dy ngjarjet treguan se me teknologjinë e avancuar është shumë e vështirë të fshihen ngjarjet. Si ngjarja në kopësht, por edhe ajo në kryesinë e kuvendit u zbardhën për sytë e publikut vetëm falë kamerave. Nëse nuk do të ishte filmuar, ngjarja në kopshtin “Stinët” nuk do të merrim vesh asgjë çfarë kishte ndodhur. Nëse nuk do të kishte kamera live në kuvend nuk do të merrej vesh fare se mes dy deputetëve kishte ardhur akti më i rëndë në korridoret e kryesisë. E megjithatë nuk është se filmimi live ua ndryshoi sjelljen deputetëve. Pra as ua ndjente për 3 milionë njerëz që po i shikonin live duke përligjur në një farë mënyre dhunën.

Së nënti, këto dy ngjarje tregojnë edhe njëherë se sa e sa ngjarje të tjera, të rënda, ose jo, nuk janë bërë publike për opinionin publik. Nuk janë bërë të tilla, vetëm e vetëm për të fshehur një dhunë. Më mirë të themi një krim. Të dyja ngjarjet tregojnë se ka më shumë dhunë edhe se sa shikojmë ne në të vërtetë.

Së dhjeti, dy ngjarjet tregojnë se dhuna shpjegon arsyen e madhe përse situata kriminale në shoqërinë tonë është e lartë. Dikush mund të japë statistika për numrin e ulët të vrasjeve. Por kjo është e vërtetë. Por, nëse shikojmë dy shifra të tjera, ajo e dhunës në familje, shifrat janë skandaloze. Ne ndoshta jemi shoqëri më e dhunshme në familje. Nuk ka asnjë vend në rajon, kontinent, ndoshta edhe në botë, kur pothuajse çdo ditë media raporton lajme të tilla: Burri rreh gruan; Babai rreh fëmijët; Djali rreh të atin; Gruaja rreh burrin; Vëllai rreh motrën. Këto ngjarje tregojnë dhunë si autorësi, por edhe si mentalitet kriminal. Kjo është realja, por jemi të bindur që sa e sa ngjarje të tjera nuk raportohen. Thjesht, jemi një shoqëri kriminale.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN