MENU
klinika

Analiza

Ekonomisë po i priten krahët

26.11.2023 - 13:02

Viti 2022 ishte më i miri historik për fitimet në vlerë të bizneseve.

Të ardhurat që buxheti arkëtoi nga tatim fitimi arritën një nivel rekord historik prej 48 miliardë lekësh, me një rritje me 34% me bazë vjetore. Në vlerë fitimet e sipërmarrjeve, nisur nga tatimi i paguar ishin rreth 318 miliardë lekë, ose 2.7 miliardë euro.

Rigjallërimi i kërkesës pas pandemisë, e nxitur dhe nga turizmi, rritja e çmimeve për tregtuesit e mallrave (si energjia apo mineralet), elasticiteti i subjekteve për të përballuar goditjet e jashtme, transferimi i kostove kryesisht te çmimet fundore që paguhen nga konsumatori, lulëzimi i ndërtimit e pasurive të paluajtshme, apo dhe konkurrenca e kufizuar, ishin disa nga arsyet që ndikuan në përmirësimin e përfitueshmërisë së sipërmarrjeve vendase.

Në renditjen e përvitshme të “Monitor 200”, fitimi total për 200 kompanitë më të mëdha, në vitin 2022, ishte 174 miliardë lekë, me një rritje prej gati 50% në krahasim me nivelin e realizuar nga subjektet e listës së njëjtë të vitit të mëparshëm.

Këto sipërmarrje kanë një peshë të lartë në ekonomi, teksa rezultati i tyre është sa 54% e totalit të fitimeve totale të gjeneruara nga mbi 100 mijë subjekte, që ushtrojnë aktivitet në vend, pjesa më e madhe e të cilave janë të mbështetura te vetëpunësimi (nga 49% që ishte kjo peshë vitin e kaluar).

Sa më shumë të fitojnë sipërmarrjet, aq më pozitive është perspektiva e një vendi, teksa bizneset bëhen më të afta të përballojnë goditjet e jashtme, nxiten të investojnë, zgjerohen, diversifikohen, shtojnë njohuritë, rrisin produktivitetin, çka në finale sjell si më shumë të ardhura në buxhet edhe shtim të punësimit e paga më të larta.

Por, kjo panoramë pozitive “fsheh” një ngërç të madh strukturor. Një pjesë e konsiderueshme e kompanive që kanë fitime të larta vijnë nga sektorë që nuk kanë vlerë të shtuar afatgjatë për ekonominë.

Si asnjëherë tjetër në listën e “Monitor 200” sipas fitimeve kishte 45 shoqëri, që janë të lidhura direkt ose indirekt me ndërtimin, nga 34 që rezultonin vitin e mëparshëm dhe 30 në 2018-n.

Ndërtimi po tërheq vitet e fundit kapitalet e lira të sipërmarrjeve për shkak të fitimeve të larta e të shpejta, të fryra edhe nga hyrja e parave informale në ekonomi.

Ky sektor mban një rekord në Europë për peshën në vlerën e shtuar bruto, me 11.2%, sa dyfishi i mesatares europiane. Koncesionet janë një tjetër segment që pavarësisht problemeve që po shfaqin pas hetimeve të SPAK vijojnë të kenë fitime të garantuara nga marrja e një koncesioni në ofrimin e shërbimeve ekskluzive, ku riskun financiar e ka marrë përsipër shteti.

Si ndërtimi ashtu dhe koncesionet janë dy sektorët me norma më të larta të fitimit në vend. Për shumë sipërmarrje të tjera, kryesisht të fokusuara në import, rritja e fitimeve ishte thjesht një “fat në derë” që erdhi nga shtrenjtimi i çmimeve, të ndikuara nga faktorët ndërkombëtare si problemet me zinxhirët e furnizimit dhe sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës si dhe rënia e euros.

Nëse ka një sektor që vërtet po vuan, është ai i industrisë, që mbetet realisht jetik për mirëfunksionimin e një ekonomie. Ndryshe nga ndërtimi që po tërheq kapitalet e lira, si rrjedhojë e normave të larta të fitimit, industrialistët janë të zhgënjyer.

Numri i sipërmarrjeve që i përkasin industrisë përpunuese është i kufizuar në vetëm disa sipërmarrje të mëdha, me një aktivitet të konsoliduar. Industrialistët pohojnë se jo vetëm nuk ka investime të reja, por nuk ka as riinvestime.

Kostot e rritura, euro e dobët që godet veçanërisht eksportuesit, konkurrenca e fortë nga importi, mungesa e një strategjie të qartë zhvillimi po e “fundosin” gjithnjë e më shumë industrinë.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se pesha e industrisë përpunuese ishte vetëm 7.5% e vlerës së shtuar bruto, nga 16.7% që është mesatarja europiane dhe 15-18% në vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnjë-Hercegovina e madje dhe Kosova.

Ka të paktën dy dekada, që tregjet po hapen gradualisht me rajonin dhe Europën, si një proces normal në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kjo periudhë ka qenë mëse e mjaftueshme për të nxitur industrinë në ato segmente ku kemi avantazhe konkurruese.

Kjo nuk ka ndodhur. Beteja është e humbur që në fazën fillestare të procesit të prodhimit. Industritë po lodhen dhe po kthehen në magazinuese.

Siç konstatonte dhe Komsioni Europian në raportin e fundit për zgjerimin, konkurrueshmëria e Shqipërisë pengohet nga nivelet relativisht të ulëta të njohurive sipërmarrëse dhe teknologjike, nevojat e paplotësuara për investime në kapitalin njerëzor dhe fizik, shpenzimet e vazhdueshme të ulëta për Kërkim dhe Zhvillim dhe, gjithnjë e më shumë, nga mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar.

Pasojat mund të mos duken për momentin, pasi importet po vërshojnë lehtësisht në treg. Në afatin e gjatë vendi do të përballet me rënie të konkurrencës që do të shtrenjtojë importet, humbje të vendeve të punës për profesione të shumta, përkeqësim të ekuilibrave demografikë, sidomos në qytetet e vogla e ato rurale, me efekt në rënien e zinxhirit të vlerës dhe ngadalësimin e rritjes.

Duket se ekonomisë po i priten dalëngadalë krahët, por për momentin pothuajse të gjithë janë të kënaqur nga lustra e shifrave!/MONITOR

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Këmbanat e rënies së inflacionit

Çmimet e ulëta po penalizojnë ekonominë